Deklarata e MPJD-së lidhur me vazhdimin e sanksioneve ndaj Federatës Ruse

Aktuale

Deklarata e MPJD-së lidhur me vazhdimin e sanksioneve ndaj Federatës Ruse

Më: 23 mars 2022 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dal me deklaratë lidhur me vazhdimin e sanksioneve për Federatën Ruse.

Kërkesë kjo që është miratuar sot nga Kabineti Qeveritar. 

Agresioni i Federatës Ruse jo vetëm që ka hasur në rezistencën e shtetit dhe popullit ukrainas, por edhe është dënuar nga i gjithë komuniteti i shteteve, shprehur edhe përmes Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë vazhduar politikën e kundërshtimit të këtij invazioni përmes mbështetjes në armatim të Ukrainës, forcim të kapaciteteve ushtarake në Evropën Lindore, si dhe sanksioneve shtesë”.

Në deklaratë thuhet se Këshilli i Bashkimit Evropian me datë 25, 28 shkurt, 1, 2 dhe 9 mars 2022 ka marrë vendim për masa të reja kufizuese dhe zgjerimin e listës me persona juridikë dhe fizikë. Në këto masa, është përfshirë dhe Bjellorusia, për të cilën masat kufizuese aplikohen për zhvillimet e brendshme dhe rolin aktiv në cenim të integritetit territorial të Ukrainës.

Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka propozuar për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e të gjitha Sanksioneve ekonomike dhe financiare, të përcaktuara nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Pothuajse të gjitha sanksionet deri më tani janë miratuar në koordinim intensiv dhe të plotë në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, dhe partnerëve të tjerë, në përpjekje për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë”.

Sanksionet e zgjeruara gjithashtu përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimi i transmetimit të mediave propaganduese, materiale të ndryshme që mund të përdoren për makinerinë e luftës, restriksione Bjellorusisë për ndalimin e mundësisë së importeve të mallrave teknologjike si kundërpërgjigje e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe masa tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në invazionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo tranzitit në vende që i zbatojnë këto sanksione.

Duke pasur gjithnjë për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta demokratike dhe në ruajtjen e plotë të zbatueshmërisë së ligjeve dhe konventave evropiane dhe ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh kushtetutshmërinë dhe bazën ligjore të Kosovës, (veçanërisht Ligjin Nr. 03/l-183) “për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare”;

Për më shumë Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të rreshtohet me partnerët tanë në zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja, përfshirë pakon e katërt të sanksioneve të BE-së, që konsiston në masa restriktive tregtare, ekonomike, financiare, energjetike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe entiteteve shtesë. Së shpejti do të bëhen publike po ashtu informatat përkatëse për zbatimin e sanksioneve të reja të BE-së”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat