Multimilioneri Salihu ka ikur jashtë Kosovës/ Njihuni me bizneset e multimilionerit të përfshirë në skandalin “Brezovica”

Aktuale

Multimilioneri Salihu ka ikur jashtë Kosovës/ Njihuni me bizneset e multimilionerit të përfshirë në skandalin “Brezovica”

Më: 23 mars 2022 Në ora: 16:51
Abedin Salihu

Multimilione Abedin Salihu, është njëri nga të dyshuarit për rastin “Brezovica”. Gazeta merr vesh se biznesmeni ka ikur nga shteti, pavarësisht se është në kërkim të Policisë.

Abedin Salihu, pronari i kompanisë ndërtimore “Dino”, hotelit “Brezovica”, dhe presidenti e donatori i klubit futbollistik “FC Ulpiana”, ka ikur nga Kosova.

Kjo pasi, shteti ka dështuar ta kap atë gjatë aksionit të bastisjes në shtëpinë e tij në Lipjan, në fillim të marsit, për shkak të përfshirjes së tij në rastin “Brezovica 3”.

Gazeta Insajderi ka zbuluar se biznesmeni multimilioner ka dalë jashtë vendit, pavarësisht se është në kërkim nga Policia.

Këtë fakt e vërteton edhe një dokument i nxjerrë nga klubi i tij, “Ulpiana”.

 “Ju njoftojmë se KF Ulpiana 1926, se Kryetari i KF Ulpiana 1926, është Abedin Salihu, i cili edhe pse nuk gjendet në Kosovë për arsye të tija, ai është ende Kryetar i klubit”…, shkruan në letrën e ekipit ku zbulohet se cilët do të jenë delegatët e “Ulpianës” që do të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, që do të mbahet më 6 prill.

Ky dokument është dërguar në adresë të FFK-së, më 14 mars të këtij viti, nëpërmes Enver Duriqit, që është drejtor sportiv i KF “Ulpina”, nga Ylli Jashari, që është sekretar i ekipës që përfaqëson Lipjanin në Super Ligën e Kosovës.

Këto janë bizneset e multimilionerit të përfshirë në skandalin “Brezovica”

Abedin Salihu, i dyshuar për aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, është pronar i njërit prej hoteleve më luksoze në Brezovicës, “Brezovica Hotel Spa”.

Ndërtimi i këtij hoteli dyshohet të jetë bërë në kundërshtim me Ligjin që mbron Parkun Nacional “Sharri”, pretendim ky që Salihut i ka krijuar probleme me shtetin. Ai tash dyshohet për “degradim dhe shkatërrim” të ambientit në Brezovicë.

Pikërisht për këtë çështje në dy aksionet e fundit për rastin “Brezovica”, janë arrestuar dhjetë persona, në katër qytete të ndryshme, ndërsa gjatë kontrollit në këto lokacione janë gjetur dhe konfiskuar: dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishekë të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë X6, pesë telefona e një orë dore.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021, dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Ndryshe, Salihu është edhe udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve.

Kompania e tij, “Dino” Sh.P.K. është një biznes i cili ndërton objekte banesore dhe jobanesore. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “Dino” Sh.P.K. figuron të ketë kapital prej rreth 150 mijë euro.

Në pronësi të tij figuron edhe kompania “BELLIS IMMO SH.P.K.”, e cila kompani po ashtu merret me ndërtimtari.

Biznesmeni kosovar shihet shume i afërt edhe me pushtetin ne Lipjan, që udhëhiqet nga kryetari Imri Ahmeti.

Kompania e tij ‘Dino’ sh.p.k, kishte fituar 5 tenderë nga Komuna e Lipjanit në vlerë 2 milionë e 912 mijë 308 euro.

Biznesmeni lipjanas është i përfshirë edhe në një skandal tjetër

Kompania “Dino” e multimilionerit Salihu është e përfshirë edhe në një skandal tjetër. Atë të palestrës së Zhegrës në Gjilan.

Në vitin 2018, Komuna e Gjilanit kishte zgjedhur konsorciumin e kompanive “Visioni projekt” dhe ” Dino”, fituese të tenderit për ndërtimin e Palestrës së Sporteve në fshatin Zhegër.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate kapte vlerën e 95 mijë e 965 eurove.

Kompanitë ishin të obliguara që punimet t’i kryhenin sipas kontratës sipas planinit dinamik prej 25 ditëve, por ato nuk ishin kryer sipas kontratës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat