Presidentja ​Osmani: E tronditur nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright

Aktuale

Presidentja ​Osmani: E tronditur nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright

Më: 23 mars 2022 Në ora: 20:02
Madeleine Albright dhe Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka shfaqur pikëllimin e saj me rastin e ndarjes nga jeta të mikes së madhe të shqiptarëve të Kosovës, Madeleine Albright.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se modeli i saj i një heroine të pamposhtur do të mbetet përherë modeli që do ta ndjekim.

“E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviq-it deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë.

E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht. Modeli i saj i një heroine të pamposhtur, guximtare e të vendosur për të mbjellë vlerat demokratike në çdo vend, do të mbetet përherë modeli që do e ndjekim ne që patëm fatin ta njohim si dhe shumë breza pas nesh”, ka shkruar Osmani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat