“Qytetarët po presin me padurim që me u kthy Ramushi kryeministër”, Imer Mushkolaj ironizon me Haradinajn

Aktuale

“Qytetarët po presin me padurim që me u kthy Ramushi kryeministër”, Imer Mushkolaj ironizon me Haradinajn

Nga: N. Sh. Më: 23 mars 2022 Në ora: 23:44
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për qeverisjen e Albin Kurtit, ku tha se ka pasur shpresa se ndryshimi do të mund ta dinamizonte jetën në Kosovë.

“Është vështirë të identifikohet një sukses i vërejtshëm ose i matshëm i Qeverisë Kurti, ka ndonjë veprim aty-këtu dhe unë e kam përshëndetur rastin e fondit për sigurinë, pasi që vetë kam qenë iniciues dhe mbështetës i këtij fondi, mirëpo për fat të keq jo, pra ky vit dëshmoi të kundërtën e asaj që kanë shpresuar shumë njerëz në Kosovë, në një masë edhe unë kam shpresuar që ndryshimi mund të dinamizoj jetën në Kosovë, qeverisjen, të na përshpejtojë edhe disa procese përfshirë drejt BE-së dhe drejt forcimit të pozicionit ndërkombëtar të vendit” tha sonte Haradinaj.

“Në një mënyrë apo tjetër i kam lëshuar rrugë ndryshimit në atë kohë duke mos kandiduar fare për kryeministër, duke dërguar disa sinjale se ndoshta është kohë për ndryshim, mirëpo përkundër shqetësimeve, ka pasur shqetësime edhe më përpara se mund të mos jetë kjo shpresa reale e jona, mund të mos realizohet, mirëpo ajo që ka ndodhur është vërtetë e frikshme, është manipuluar shumë me qytetarin, me votuesin me vështirësitë me brengat e njeriut, pakënaqësitë dhe dhimbjet për me e marrë besimin dhe ai besim është i shenjtë se njerëzit i kanë dhënë besim pas dhimbjeve, pas vuajtjeve, pas vështirësive ia kanë dhënë besimin dikujt me i largu nga ajo gjendje, por ajo që po shihet është se jeta e qytetarit po përkeqësohet”, tha Haradinaj.

Por, me këto deklarata të Haradinajt nuk pajtohet analisti politik Imer Mushkolaj.

Mushkolaj në një postim në Facebook, ku shpërndan këtë lajm të Haradinajt, thotë se, sipas sondazheve, më shumë se gjysma e të anketuarve janë të kënaqur me qeverisjen e Albin Kurtit.

“Ta merr menja që qytetarët po presin me padurim që me u kthy Ramushi kryeministër. Ndërkohë, sipas një sondazhi të UBO's, më shumë se gjysma e të anketuarve shprehen të kënaqur me qeverisjen e Albinit. Nejse...”, shkruan Imer Mushkolaj, përcjell gazeta “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat