Melihate Tërmkolli: Vjosa nuk po i ndahet Lindjes, e Albini “te miqtë”!

Aktuale

Melihate Tërmkolli: Vjosa nuk po i ndahet Lindjes, e Albini “te miqtë”!

Nga: A.SH Më: 28 mars 2022 Në ora: 22:39
Melihate Tërmkolli

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka kritikuar presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, duke thënë se kur është koha për të mos lënë gurë pa lëvizë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ata janë nëpër takime nëpër botë, presidentja në Lindje e kryeministri siç shprehet ajo “te miqtë”, Norvegji.

Ajo sa i përket kësaj çështja ka kritikuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, për të cilin ka thënë se për hatër të Vuçiqit jo vetëm nuk e çeli gojën, por edhe mund të dalë kundër.

Shkrimi i plotë:

Paraliza politike!

Në vend se të mos lënë gurë pa lëvizë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës dhe sigurimin e njohjes nga pesë vendet e BE-së, Presidentja e Kosovës e ka marrë botën “n’sy” dhe po i bën argatin e zëdhënëses Ukrainës! Vjosa është aq “e mençur” sa po i tregon edhe NATO-s edhe SHBA-ve çka i gjenë nëse ata bashkë me të nuk e rrëzojnë Putinin!

Asnjë veprim i tyre për interesat e Kosovës, në këtë kohë me mundësi të veçanta e historike për të bërë punë të mëdha. Ministrja e jashtme nuk e vlenë as të përmendet.

Në këto kohë në veçanti, por edhe që nga fillimi i mandatit të tyre, të vetmet takime që kanë bërë, janë takime nëpër konferenca e forume të ndryshme dhe në margjina të tyre!

Vjosa nuk po i ndahet Lindjes, e Albini “te miqtë”!

Mosdija nuk arsyetohet, nëse veç është fjala për mosdije!

Ishte vetëm Presidenti i Kroacisë ai që e paraqiti nevojën dhe kërkesën publike për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Edi Rama për hatër të Vuçiqit jo vetëm nuk e çeli gojën, por edhe mund të dalë kundër. Mbase mund të arsyetohet se askush nga Kosova nuk ka biseduar me të për këtë punë.

Është e pabesueshme se si arrinë Vuçiqi të përfitojë edhe në këto rrethana, duke qenë përkrahës i vetëm i Rusisë e Putinit, si një vend në Evropë.

Këta “politikanë”tanë po e shkatërrojnë definitivisht këtë vend, ata e kanë paralizuar Kosovën, edhe në planin e jashtëm edhe brenda.

E vetmja gjë që po lëvizë në Kosovë është ikja e shqiptarëve nga këtu dhe rritja astronomike e çmimeve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat