Ata që ranë nga pushteti, ende po vendosin për fatin tonë!

Aktuale

Ata që ranë nga pushteti, ende po vendosin për fatin tonë!

Nga: Idriz Morina Më: 6 prill 2022 Në ora: 20:48
Foto Ilustruese nga takime të hershme të Mustafës e Haradinajt

Rënia nga pushteti e disa grupeve dhe individëve ende nuk ua ka humbur fuqinë.

Ata vazhdojnë të vezullojnë në media, të bombardojnë me mesazhe, çfarë ata duan t’i pohojnë, dhe të shfrytëzojnë çdo pakënaqësi, të krijuar kryesisht prej vet atyre: Papunësinë, varfërinë, zhbërjen e industrisë, nivelin e pakënaqshëm arsimor, shëndetësor, mungesën e barazisë, pamjaftueshmërisë së zbatimit të ligjit etj.

Ky rrjet dhe ky grupim, po gjallëron fuqishëm

Ky rrjet dhe ku grupim, me përjashtim të disa kokave të tyre të burgosura në Hagë, për shkak të dyshimit për krime të tjera të rënda, po gjallëron fuqishëm.

Ata kanë harruar edhe se si e tkurrën popullsinë e Kosovës për një milion banorë për 20 vite, dhe sot mendojnë se rastësisht njerëzit po ikin, siç shprehet Isa Mustafa duke e akuzuar Presidenten Osmani për dështim të ndaljes së braktisjes së atdheut.

Vetëm ai nuk e ka ansjë të drejtë për këtë kritikë. Ai thjesht mund të ofrojë, në firmat e tij, legale dhe në ato që akuzohet se janë ‘virtuale’, të punësohen qindra veta, me paga dinjitoze për kohën, 500-1000 euro, dhe zotimin për rritje të vazhdueshme, varësisht prej zotësisë dhe profesionit.

Ai, Ramushi, Xhaviti, Azemi, Dauti, Lushtaku, s’kanë të drejtë fjale, vetëm të kthejnë xhepat përmbys, dhe të punësojnë sa më shumë veta, me paga si thamë sa më të larta, mbimesatare!

Rrjedhën e braktisjes së atdheut nga qeveritë e pas pavarësisë e ndali vetëm pandemia, duke i dhënë një mundësi frymëmarrje dhe rritje të përkohshme të popullsisë, por që sipas të dhënave, nuk ka më shumë se 1.6-1.7 milionë banorë e gjithë Kosova.

Ajo që kam shkruar për rreth 20 vjet kundër krimit të organizuar, njerëzve që e kanë pengu luftën e me hipokrizi janë thirrur dhe kanë përfituar në emër të saj, njerëzit që kanë vra, e si thotë populli, kanë ngri e kanë pre’, kanë vjedhur dhe e kanë kthyer mbrapsht procesin e njohjes së shtetit të Kosovës me trazirat e udhëhequra nga ta në 2004-ën, që kanë bërë çdo kompromis, u duk se u realizua me ndryshimin e pushtetit.

Është tepër e vështirë të ringjallet shpresa

Por, tashmë e shohim, se thuajse ata janë ende të paprekshëm, në administratë, në arsim, në shëndetësi, e madje edhe në sindikata e mos të flasim në biznese.

Aq sa, është tepër e vështirë të ringjallet shpresa dhe të rindërtohet besimi i humbur.

Ata, që vepronin pa u hamendur kundër frymës rugoviane, si kundërshtimi i decentralizimit para statusit, i refuzimit që trashëgimia iliro-shqiptare të njihej si serbe, dhe që refuzonte kompromiset e dhimbshme; po këta në bisedimet në Bruksel e sollën shtetin e Kosovës në zgripc, dhe duke mos pasur sukses të plotë në atë proces, i hynë, por tashmë një pjesë e tyre (pasi tashmë disa ishin në burg, disa kishin përjetuar humbje të tjera, nuk iu bashkuan më tej), që ta ndanin Kosovën duke e copëtuar;

Atë që shpresonim të arrihej pas 14 vjet Pavarësi, dhe 23 vjet liri, ende nuk po e arrijmë dot.

Po vuajmë, sepse ende nuk po i shohim në rënie të lirë (nëpërmjet demokracisë) përveç asaj që e përjetuan, rënien nga pushteti, ata që në emër të patriotizmit të rrejshëm, injorancës së shumëfishtë, komprometuan në këtë shoqëri edhe identitetin shqiptar, nëpërmjet krimit të organizuar, vrasjeve, plaçkitjeve, vjedhjeve, reketit, shantazhit, përdorimit të shtetit dhe institucioneve të tij në interes personal.

Ende sot, duken të gatshëm për rikthim, veçse nuk po guxojnë ende ta thonë publikisht, madje duke na marrë edhe shpresën dhe besimin se arritëm t’i pengojmë në çfarëdo nisme që cenonte shtetin e Kosovës, tërësinë tokësore të tij dhe sovranitetin, përkatësisht se arritëm fitimin e betejës për sovranitet të plotë, dhe për të parandaluar një asociacion antikushtetues.

Zbatimin e ligjit për shkelësit kronik dhe të sotëm

Prandaj, është e domosdoshme, dhe jo vetëm shpresa, për fillimin e veprimit të sundimit të ligjit, përveç atyre për vrasjen e figurave të shquara kombëtare; Pastaj të nis zbatimi i drejtësisë për të gjithë, ku në shprehje vjen formula demokratike amerikane, rregullimi i sistemit nëpërmjet nxjerrjes së përgjegjësisë për krimet e mëdha, nga të mëdhatë tek më të voglat!

Nga privatizimet mashtruese, deri tek punësimet nepotike, atëherë dhe tani! Nga tenderët atëherë, deri tek çdo ‘bursë’ e dhënë padrejtësisht tani!

Zhvillimi ekonomik, punësimet janë dy premisat tjera për mbajtjen e shqiptarëve këtu në tokën e tyre, dhe me shpresë që një ditë ta bëjmë një vend të preferuar edhe për ata qindramijëra veta, që u detyruan të mërgojnë për arsye nga më të ndryshme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat