​Kuvendi miraton Projektligjin për zyrtarët publikë

Aktuale

​Kuvendi miraton Projektligjin për zyrtarët publikë

Më: 7 prill 2022 Në ora: 06:41 Përditësuar në ora: 11:01 më 07.04.2022
Kuvendi i Kosovës

Moslejimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Kusari-Lila: Serbia nuk pranoi t’i drejtohet në emër Kosovës

Kryetarja e Grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha sot në Kuvend se Kosova ishte e interesuar të gjente zgjidhje për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë bazuar në ligjet e Kosovës dhe praktikat më të mira evropiane, por siç tha ajo referencë nuk mund të ishin zgjedhjet e mëparshme serbe të mbajtura në Kosovë.

Kusari Lila para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se shteti i Serbisë nuk pranoi t’i drejtohet Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës në emrin e saj për t’i mundësuar serbëve të votojnë.

Ajo po ashtu tha se procesi zgjedhor në Serbi nxori në pah fshirjen e 6 mijë emrave shqiptarë nga Lugina e Preshevës nga regjistri i votuesve dhe kjo sipas saj është një akt barbar.

“Me shumë kontradikta u përcoll kërkesa e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, por ne qëndruam të vendosur për mbrojtjen e sovranitetit.

U trajtuan mënyrat dhe format si mund të mbahen zgjedhjet parlamentare të një shteti tjetër…

Në këtë kohë shumë paralele u tërhoqën mes Kosovës e Ukrainës pasi kishte ngjashmëri mes brutalitet rus e serb.

Serbia e gjeti veten në kah të gabuar, në krah me Rusinë. Ajo tashmë po legjitimon krimet që shfaqen nga imazhet e tmerrshme nga Ukraina, e që nuk dallojnë nga krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

Paralelen që tërhoqa nuk është digresion i rastit. Kjo paralele ka të bëjë me shtetin që nuk pranoi t’i drejtohet Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës në emrin e saj për t’i mundësuar serbëve të votojnë”, tha ajo.

Shefja e GP-së së VV, tha se Serbia me hegjemoninë e saj nuk ka qëllim lehtësimin e jetës së serbëve në Kosovë, por vështirësimin e jetës.

“Procesi zgjedhor në Serbi nxori në pah fshirjen e 6 mijë emrave shqiptarë nga Lugina e Preshevës nga regjistri i votuesve…. Ky është një akt barbar, njësoj me dëbimin apo spastrimin etnik… kjo është Serbia hegjemoniste”, tha ndër të tjera Kusari-Lila.

Shala kritikon Qeverinë Kurti, lavdëron atë të Thaçit

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka folur për konkursin e fundit në KEK e për të cilin u bë shumë zhurmë duke thënë se Qeveria Kurti ka vendosur menaxhment të dëgjueshëm politik dhe rekrutimet kanë qenë mbi bazë partiake dhe familjare.

“Pas më shumë se një viti të Qeverisë Kurti ne kemi pritur rezultatet e para në sektorin energjetik. Fatkeqësisht rezultatet e vetme janë ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike si ZRrE, KOSTT, KEK e kështu me radhë. Ndërhyrjet e fundit në ndërmarrjen më strategjike të vendit, KEK-un, duke vendosur menaxhment tipik të dëgjueshëm politik dhe joprofesional dhe duke vazhduar me rekrutime mbi baza partiake dhe familjare është jashtëzakonisht shqetësuese për institucionet e shtetit dhe shoqërinë tonë”.

Shala, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se kryeministri Albin Kurti do të duhej ta vizitonte sot KEK-un dhe t’i jepte shumë përgjigje, sipas tij, të munguara punëtorëve të KEK-ut.

“Kjo është e papranueshme, e paligjshme dhe e dëmshme për sektorin e prodhimit vendor të energjisë. Kjo është lëndë për drejtësinë. Sot kryeministri do të duhej ta vizitonte KEK-un dhe t’i kërkonte falje punëtorëve për premtimet që u kishte dhënë. Do të duhej të kërkonte falje për të gjitha shkeljet që po ndodhin në menaxhimin e KEK-ut, për anashkalimin e ekspertëve vendorë dhe atyre të huaj duke i paguar shtrenjtë ata. Sot kryeministri do të duhej të vizitonte KEK-un dhe t’i informonte punëtorët se ku shkuan 20 milionë euro të ndara nga qeveria për KEK-un, se si u menaxhua kriza energjetike, dhe për KEDS-in që s’po ia kthen rreth 60 milionë euro mjete financiare. Këto një ditë do të jenë pjesë e hetimit parlamentar të cilin kryeministri dhe mazhoranca po e bllokon”.

Deputeti i PDK-së e ka kritikuar Qeverinë Kurti, derisa ka lavdëruar atë të ish-shefit të tij partiak Hashim Thaçi.

“I hoqi gjeneratorët nga ekonomia e familjeve tona. E hoqi errësirën dhe ktheu dritën në çdo shtëpi tonën. Qeveria e Hashim Thaçit investoi projekte në revitalizimin e KEK-ut në infrastrukturë, në hapjen e minierave të reja dhe shumë pjesë dytësore të energjisë. Krijoi stabilitet energjetik me çmimin më të lirë në rajon dhe Evropë për qytetarin. Vetëm në termocentralin Kosova B nga viti 2010 janë realizuar 15 projekte kapitale në vlerë mbi 50 milionë euro, ndërsa në miniera nga viti 2009 janë realizuar projekte të mëdha kapitale”.

Kuvendi mban seancë

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare ku ndër të tjera do të shqyrtohet Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022 – 2026. Kurse, për herë të parë shqyrtohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publik.

Gjithashtu do të shqyrtohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Rendi i ditës

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022 – 2026,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-128 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për zyrtarët publik,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-136 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-139 për procedurën përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-118,

8. Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb,

9. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave nga radhët e komunitetit shqiptar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat