Rexhepi: Vendimi i Qeverisë për të ndihmuar qytetarët u bë nën presionin e opinionit publik

Aktuale

Rexhepi: Vendimi i Qeverisë për të ndihmuar qytetarët u bë nën presionin e opinionit publik

Më: 13 prill 2022 Në ora: 18:17
Sejdi Rexhepi

Për ndihmën e Qeverisë me nga 100 euro për qytetarët dhe pagën minimale, foli edhe profesori, Sejdi Rexhepi.

Rexhepi i ftuar në emisionin “Ditari” në tëvë1, tha se këtë vendim Qeveria e mori nën presionin e opinionit publik, si rezultat i disa faktorëve.

“Qeveria ka marrë këtë vendim që do të thoja deri diku ka qenë edhe nën presionin e opinionit publik si fakt i situatës si rezultat i pandemisë, pastaj krizës energjetike, tani lufta e Rusisë me Ukrainën, si dhe kemi rritje të theksuar të çmimeve. Dhe më pas opinioni i gjerë fillojë ta shtrojë pyetjen se çfarë po bën Qeveria në këtë situatë, dhe erdhi kjo si vendim për të përkrahur edhe shresat që janë në nevojë”, tha Rexhepi.

Sipas tij, kjo ndihmë e Qeverisë do të duhej të mendohej pak më ndryshe, ku sipas logjikës i bie që këto para do t’i marrin të gjithë ata që janë mbi moshën 18 vjeçare.

“Megjithatë, sipas mendimit tim, kjo ndihmë është dashur të ridizajnohet pak më ndryshe, për aq sa kam informata kuptoj që këtë ndihmë do ta marrin të gjithë ata që kanë pagën nën 1000 euro, dhe sipas kësaj logjike i bie që do të marrin të gjithë ata që janë mbi moshën 18 vjeçare”, u shpreh ai.

Ndërsa, ndihma për politikën sociale, Rexhepi tha se do të duhej të ishte më e ulët, sepse ata me paga më të larta këto mjete shtesë do t’i shpenzojnë për një vikend.

“Pragu i ndihmës meqenëse është fjala për politika sociale, mendoj se do të duhej të ishte më i ulët, ta supozojmë të jetë 450 euro aq sa është paga mesatare, por është jo logjike që dikush që ka pagën 998 euro ta marrë këtë ndihmë, dhe ai që ka 1001 euro mos ta marrë. Dhe e dyta, të gjithë ata që kanë një pagë më të lartë, sigurisht që këto mjete do ti shpenzojnë për një vikend”, tha Rexhepi tutje.

Tutje, Rexhepi tha se në këtë aspekt Qeveria është ngutur, si dhe duhet të kenë besim më të madh në forcën ekonomike të vendit.

“Në këtë aspekt Qeveria pak është ngutur kur ka caktuar këtë pragun, ndonëse me kësi lloj politikash kanë përparuar edhe partitë tjera. Unë mendoj që Qeveria duhet të ketë një besim më të madh në forcën ekonomike të vendit, vitin e kaluar patëm një rritje të konsiderueshme ekonomike ku Kosova nuk pati deri në vitin e kaluar. Dhe në qoftë se besojmë në atë që e thekson edhe Qeveria që populli ka besim në këtë Qeveri, qytetarët dhe bizneset janë aktiv në aktivitete ekonomike atëherë do të shkojë me rritje të pagave , dhe të përkrahin qytetarët në nevojë”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat