Rasti Dehari, Ministria e Drejtësisë: Prokuroria Speciale tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë

Aktuale

Rasti Dehari, Ministria e Drejtësisë: Prokuroria Speciale tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë

Më: 14 prill 2022 Në ora: 10:17
Fotoja e Astrit Deharit

Pas publikimit të raportit shtesë  për rastin e Astrit Deharit, Ministria e Drejtësisë ka drejtuar akuza ndaj Prokurorisë Speciale, duke thënë se kjo e fundit ka propaganduar rezultatin e raportit.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se drejtësia nuk duhet të jetë e mangët, por e plotë.

“Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!”

MD ka theksuar se kjo prokurori është nxituar me deklaratat si dhe publikimin e tërë raportit për rastin e Deharit.

“Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato. Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim”.

“Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesëshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është  prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar. Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast  Prokurorisa Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë”, thuhet në njoftim,.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat