SBAShK-u paralajmëron greva, Jashari: Kjo Qeveri na ka qit shkelmin në qafë

Aktuale

SBAShK-u paralajmëron greva, Jashari: Kjo Qeveri na ka qit shkelmin në qafë

Më: 15 prill 2022 Në ora: 15:11
Tryeza e diskutimit me temën “Sigurimet shëndetësore dhe skemat sociale në Kosovë”

Në tryezën e diskutimit me temën “Sigurimet shëndetësore dhe skemat sociale në Kosovë”, të organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së, pjesëmarrës ishin edhe federata sindikale të ndryshme në vend.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Kurti se nuk po hap rrugë për dialog me sindikatat, dhe kështu sipas tij, nuk po merret me problemet e punëtorëve.

Jashari: Kjo Qeveri na ka qit shkelmin në qafë

“Kjo Qeveri që erdhi me pompozitet se do të kemi lule dritë, që kemi menduar se është partia më e afërt me sindikatat pasi ka programin social, po del se është partia e cila na ka qit nëse mundet, shkelmin në qafë, për sulmin që bënë kjo parti ndaj individëve të sindikatave. Po ashtu, edhe disa deputetë, e kanë kot, SBAShKU do të vazhdojë rrugën e vet. Prandaj, ju lus juve që e dëgjoni zërin tonë, të kemi Ligj për sigurimet shëndetësore që do ta bëjnë ekspertët dhe të kemi ndryshim për ligjin për skemat pensionale të njihen kontributet pensionale që ta marrin pensionin e punës e jo atë të pleqërisë”, tha Jasharaj.

Kështu Jasharaj paralajmëroi edhe greva, pasi siç theksoi ai janë në hall të madh.

Duke komentuar edhe 100 eurot e fundit, ai tha se fatkeqësisht në 21 vjetët e fundit, Qeveria e tanishme është shembulli më i keq i dialogut me sindikatat.

Jashari: Jemi në hall të madh dhe jemi duke shkuar drejt grevave

“Fatkeqësia e madhe është se në 21 vitet e fundit, Qeveria e tanishme është shembulli më i keq i dialogut, madje nuk ka dialog fare dhe kjo i ka sjellë sindikatat në këtë pozitë. Është mirë që së paku opozita po hapë derë për dialog. Ju deputetë, besoj që zërin tonë do ta përçoni edhe në Parlament. Ne kemi dërguar edhe letra për të kërkuar që madje të ketë një seancë të veçantë në Kuvend, sepse edhe arsimi, shëndetësia dhe të tjera, por edhe Policia ani se nuk e lejon ligji. Madje edhe administrata publike, jemi në hall të madh dhe jemi duke shkuar drejt grevave. Këto dy çështje që i keni ngritur krahas Ligjit të pagave që e përcakton të ardhmen e secilit prej nesh krahas kërkesës modeste për 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave, e që Qeveria bëri një lojë tjetër për ta futur krejt popullin e Kosovës në luftë me ne, kinse ‘shiko, hiqu tyre se ne iu japim të gjithëve’. Kështu që çështjet që janë ngritur sot, vërtet janë vitale. Ne nuk kemi sigurime shëndetësore”, theksoi ai.

Deputeti nga AAK-ja Shemsedin Dreshaj tha se Kosova qe 20 vjet përballet me dy probleme të mëdha, në mungesë të sigurimeve shëndetësore dhe rregullimit të skemave sociale.

Dreshaj: Kosova qe 20 vjet përballet me dy probleme të mëdha

“Dy problemet të cilat qe 20 vjet i kemi në shpinë dhe nuk po mund t’i adresojmë në adresën e saktë. Përballë jemi me një fluks të madh, me një gjakderdhje të madhe qoftë materiale e njerëzore që po na ndodhë në vend për problemet sociale të pazgjidhura në vend. Këto probleme drejtpërdrejt ndërlidhen me sigurimet shëndetësore dhe me skemat pensioanle që i kemi brenda. Kështu që kjo nuk e lenë anash fare Ligjin e pagave që është po ashtu një brengë e madhe lidhur me mirëqenien tonë dhe me shportën tonë të përditshme”, theksoi ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se në këtë tryezë nuk janë për t’i drejtuar gishtin askujt sa i përket mungesës së sigurimeve shëndetësore, por tha se janë të gatshëm që ta mbështesin Qeverinë lidhur me këtë sikur edhe për skemat sociale.

Tahiri: Kostoja e skemave pensioanale është e lartë

“Në temën e parë për sigurimet shëndetësore, këtu nuk jemi për t’ia drejtuar gishtin dikujt, për shkak se edhe ne kemi qenë në Qeveri, edhe ne kemi mundur me e bë… Tek skemat sociale në Kosovë, kostoja e skemës sociale në Kosovë është shumë e lartë. Për këtë skemë si Grup Parlamentar ne e kemi mbështetur krahas programit të Bankës Botërore”, theksoi ai.

Edhe sindikatat tjera kanë kërkuar që të zbatohen të drejtat e tyre për sigurimet shëndetësore dhe për skemat pensionale, njohjen e stazhit të punës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat