Gjoshi: PDK e fton Kurtin që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm

Aktuale

Gjoshi: PDK e fton Kurtin që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm

Më: 15 prill 2022 Në ora: 15:54
Blerand Stavileci dhe Blerim Gjoci

Partia Demokratike ka mbajtur një konferencë për media, për siç kanë thënë ata, ‘diskriminimet që po u bëhen disa kategorive të rëndësishme shoqërore’, pas vendimit për ndarjen e lëmoshave dhe pagës minimale.

“Investimi më i madh i qeverisë sot, është investimi në pabarazi”, tha anëtari i kësaj partie, Blerand Stavileci, duke sugjeruar që paga minimale të jetë më e lartë se 300 euro.

“Qeveria, në vend të mbështetjes meritore – zgjodhi lëmoshën, në vend të ndihmës për të papunët – zgjodhi diskriminimin dhe harrimin e tyre, në vend të barazisë sociale – zgjodhi thellimin  e hendekut të pabarazisë sociale”, u shpreh tutje Stavileci.

Në këtë konferencë foli edhe anëtari tjetër i kësaj partie, Betim Gjoshi, i cili tha se paga minimale i përjashton tërësisht veteranët.

“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojnë të mbesin të diskriminuar, përbuzur dhe të ofenduar. Përbuzja dhe ofendimi bëhen edhe më të rënda kur vijnë nga ata që drejtojnë institucionet e shtetit”, tha Gjoshi.

“Të gjithë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, por jo edhe ushtarët e UÇK-së, të cilët nuk e braktisën kurrë Kosovën, as në kohët më të rënda. Veteranët po braktisen nga kjo Qeveri, e cila që nga fillimet e saj ka pranuar hapur se nuk pranon dhe nuk njeh rëndësinë e UÇK-së”, u shpreh tutje ai.

“PDK propozon që Qeveria të ndaj pagë për veteranët së paku me vlerën e njëjtë të asaj minimale”.

Gjoshi tha se PDK i bën thirrje qeverisë që të nis menjëherë pastrimin e listës së veteranëve dhe kategorizimin e saj, pasi sipas tij, me këtë hap do të largoheshin mashtruesit nga historia e UÇK-së.

“PDK e fton kryeministrin Kurti që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm. Si mund ti thotë veteran vetes pa e veshur kurrë uniformën e UÇK-së”, u shpreh Gjoshi.

“Nëse ai tërhiqet, shembullin mund ta ndjekin edhe të tjerët që nuk e meritojnë këtë status”, përfundoi Gjoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat