Abdixhiku: Vepra e Heroit Sali Çekaj është udhërrëfyes i përhershëm i rrugëtimit tonë për liri e pavarësi

Aktuale

Abdixhiku: Vepra e Heroit Sali Çekaj është udhërrëfyes i përhershëm i rrugëtimit tonë për liri e pavarësi

Më: 19 prill 2022 Në ora: 16:05
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka përkujtuar Heroin Sali Çekaj në 23 vjetorin e rënies së tij.

Me këtë rast, Abdixhiku e ka ngritur lartë figurën e Sali Çekaj duke thënë se ai me punën dhe përkushtimin e tij do mbetet përherë në piedestalin e historisë së Kosovës.

“Njëzet e tre vjet më parë, në Betejën e Koshares, ra heroikisht strategu i luftës e njeriu i pendës, bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, intelektuali i rrallë e veprimtar i shquar i LDK-së, Sali Çekaj. Vepra e tij është udhërrëfyes i përhershëm i rrugëtimit tonë për liri e pavarësi. Heroi Sali Çekaj, si strateg ushtarak i kalibrit të lartë dhe intelektual i rrallë, i dha të gjitha për Kosovën, në fund, në Betejën e Koshares, me pushkë në dorë e krah bashkëluftëtarëve të UÇK-së, dha edhe jetën”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

I pari i LDK-së me tej ka shkruar se Sali Çekaj kishte qenë organizator i shkëlqyeshëm i shqiptarëve për të ndihmuar materialisht e politikisht çlirimin e Kosovës.

“Sali Çekaj, që nga fillimi ishte pjesë e aktivitetit politik në LDK, të udhëhequr nga Presidenti Rugova, njëkohësisht i takon grupit të parë për organizim ushtarak për çlirimin e vendit.

Falë aktivitetit të tij të jashtëzakonshëm për liri e pavarësi, Sali Çekaj, detyrohet nga okupatori serb që të largohet nga Kosova, por si nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, ai u bë organizator i shkëlqyeshëm i shqiptarëve për të ndihmuar materialisht e politikisht çlirimin e Kosovës”, ka thënë kryetari i LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat