​Policia jep detaje nga aksioni antidrogë në veri

Aktuale

​Policia jep detaje nga aksioni antidrogë në veri

Më: 19 prill 2022 Në ora: 19:17
Droga e sekuestruar

Katër persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni antidrogë në Kremestak - Zveçan gjatë së cilës janë sekuestruar edhe një sasi marihuane dhe bimë të kanabisit që kapin vlerën e shitjes në treg mbi një milion euro.

Rreth orës 11:00, në asistim të antidrogës (DHTN) të Mitrovicës Jugu dhe njësive të patrullës nga Stacioni policor Veriu dhe Zveçani është planifikuar dhe realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë në lokacionin në fjalë.

Me të arritur në lokacion policia ka konstatuar se shtëpia i kishte dyert e mbyllura dhe dritaret e mbuluara. Gjatë realizimit të planit taktik policor dhe qasjes për kontroll brenda janë hasur katër persona të dyshuar të cilët kanë tentuar që të ikin dhe të fshihen nga Policia e Kosovës.

Gjatë operacionit policor janë arrestuar dhe identifikuar katër serbë, njëri shtetas kosovar dhe tre shtetas të Serbisë: L. S. (1992); L.S. (shtetas i Serbisë, 1995), B. D. (shtetas i Serbisë 1997) dhe M.A. (shtetas i Serbisë, 1966).

Gjatë kontrollit në brendi të shtëpisë; në katin e parë kishte dy dhoma të rregulluara me ndriçim, ventilim dhe saksi dhe një dhomë në të cilën kishte bimë të dyshuara narkotike kanabis duke u tharë dhe pothuaj të gatshme për treg.

Në katin e dytë ndodhej një dhomë me bimë të dyshuara të kanabisit duke u tharë po ashtu të gatshme për shitje, tri dhoma me bimë të reja të dyshuara si kanabis, një dhomë me ndriçim dhe saksi, një dhome vetëm me saksi të grumbulluara dhe një dhomë e destinuar si depo.

Në vendin e ngjarjes janë ftuar dhe kanë dal njësia krim teknikes së rajonit policor Mitrovicë Veri, Antidroga (DHTN) – Sektori Qendror, DHTN-Gjilan dhe nga Drejtoria e Krim teknikes.

Nga kompetentët janë konfiskuar 15 kilogram substancë e dyshuar narkotike marihuanë e gatshme për treg, 808 bimë të dyshuara kanabis duke u tharë të gatshme për treg,

1531 bimë të reja të dyshuara si kanabis, 6 telefona mobilë, 150 euro- para të gatshme,

5 palë gërshërë, sistem i ventilimit, 164 drita ndriçimi për kultivim, 124 trafo për furnizim me energji dhe rreth 3000 saksi për kultivim.

Deri në tërheqjen e plotë të dëshmive njësitet relevante nga stacioni policor Zveçan mbesin në lokacion, përderisa rasti mbetet nën hetime të mëtejme nga antidroga e Policisë së Mitrovicës Veri.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit katër të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit dërgohen në ndalim për 48 orë.

Sasia e sekuestruar e marihuanës dhe bimëve të kanabisit e kalon vlerën e shitjes në treg mbi një milion euro, ndërsa pajisjet të cilat janë përdor për mbjelljen, rritjen dhe kultivimin e kanabisit e kalojnë vlerën e mbi 450.000 euro.

Bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, të cilët kanë vepruar në shitjen e narkotikëve në Kosovë dhe Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat