Pronat e komunës për familjarët e asamblistëve, “hall i madh” për Ferit Idrizi

Aktuale

Pronat e komunës për familjarët e asamblistëve, “hall i madh” për Ferit Idrizi

Më: 20 prill 2022 Në ora: 18:05
Ferit Idrizi

Një projekt i nisur me premisa të mëdha suksesi nga ish-pushteti lokal qeverisës në Komunën e Vushtrrisë, është kthyer në një “hall të madh” për qeverisjen e re.

Shkak është një aferë e dyshuar korruptive në të cilën janë përfshirë ish-funksionarë komunal.

Ferit Idrizit, kryetarit aktual të Komunës së Vushtrrisë, i ka mbërritur në zyrë një shkresë nga Agjencia Kundër Korrupsion, e cila ka gjetur shkelje të rënda në dhënien në shfrytëzim të pronave komunale për “Parkun të Biznesit”.

“Parku i Biznesit” është një projekti i iniciuar nga ish-kryetari Xhafer Tahiri, i cili kishte për qëllim krijimin e Zonës Industriale në Komunën e Vushtrrisë. Konsiderohej si një nga projektet më të mëdha të komunës ndonjëherë.

Por, në opinionin e AKK-së të cilën e ka pranuar kryetari Idrizi dhe zyrtarë të tjerë komunal, është gjetur se dhënia në shfrytëzim e pronave të komunës në këtë park biznesi përbën konflikt interesi në dy raste.

Dy asamblistë të legjislaturës së kaluar në Asamblenë Komunale të Vushtrrisë, anëtarë të PDK-së, përfituan nga vendimi i pushtetit të Xhafer Tahirit për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale në “Parkun e Biznesit”.

Familjarët e asamblistëve, Ilmi Azemi dhe Fitim Halili, kishin marrë pjesë në votimin për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale për bizneset tek “Parku i Biznesit”. Seanca ishte zhvilluar në muajin prill të vitit të kaluar.

Ata kishin abstenuar në votim. Por, edhe kësisoj i kishin hapur rrugë miratimit të vendimit nga i cili përfitonin të afërmit e tyre. Nga vendimi i miratuar në Kuvendin Komunal, kishin përfituar Fllanza Sadiku, bashkëshortja e djalit të vëllait të Ilmi Azemit dhe Nurije Halili, bashkëshortja e Fitim Halilit.

Por, përfitimet e familjarëve të ish-pushtetit qeverisës në Komunën e Vushtrrisë mund të shpallen të anuluara.

Ferit Idrizi, i kontaktuar të mërkurën, ka thënë se ndodhet në hall të madh për projektin, të cilin tash po e konteston Agjencia Kundër Korrupsion.

Ai ka pohuar se do të respektojë rekomandimet e AKK-së. “Ne si komunë do të respektojmë në plotni opinionin e AKK-së”, tha Idrizi, në një përgjigje me shkrim të mërkurën.

Paparaci ka siguruar shkresën zyrtare që Agjencia Kundër Korrupsionit i ka dërguar komunës së Vushtrrisë më datë 25.03.2022, përmes së cilës konstatohet se ka pasur konflikt interesi me rastin e dy asamblistë të legjislaturës së kaluar në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

AKK-ja rekomandon Komunën e Vushtrrisë për rishqyrtimin apo shfuqizimin e vendimit.

“Agjencia i kërkon rishqyrtimin, revokimin ose shfuqizimin e aktit të nxjerrë në konflikt të interesit organit që e ka nxjerrë atë. Që nga momenti kur Agjencia kërkon rishqyrtimin e vendimit, çdo veprim për zbatimin e tij pezullohet deri në momentin kur organi vendos për vlefshmërinë e vendimit”.

Për këtë rast, media ka kontaktuar edhe ish-kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Tahiri, në një prononcim, ka thënë se në kohën kur ishte aprovuar vendimi për Zonën Ekonomike, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal e kishte konsideruar atë të ligjshëm e në përputhje me ligjin.

Tahiri është shprehur i bindur se vendimi në tërësi është i ligjshëm.

“Në kohën kur është aprovuar ky vendim për Zonën Ekonomike nga Kuvendi i Komunës, MAPL e ka vlerësuar të ligjshëm dhe në përputhje me ligjin.  Jam i bindur qe vendimi si tërësi është i ligjshëm, rastet individuale të konfliktit të interesit, duhet të trajtohen individualisht sipas ligjit”, ka thënë ai.

Ish-kryetari Tahiri ka deklaruar se sipas informatave që qarkullojnë në Vushtrri “ka interesa nga pushteti aktual që të shpërndajnë parcelat në Zonën Ekonomike” sipas interesave të pushtetit aktual.

Tahiri thotë se për gjendjen në konflikt interesi të dy asamblistëve, nuk mund të zhbëhet i gjithë procesi.

“Por assesi nuk duhet qe për shkak te dy personave te lartshënuar, te ndëshkohen 20 përfituesit tjerë ne Zonën Ekonomike qe vet Agjencia Kundër Korrupsion ka gjetur qe skenë pasur asnjë konflikt interesi”.

Në janar të vitit 2022 se Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës kishte “trokitur” në dyert e komunës së Vushtrrisë për të hetuar kontratat e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale në Zonën Ekonomike në Lumadh, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit nga bizneset dhe zyrtarët komunal me kontratat e këtyre pronave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat