Bojan Pozhar, gazetari dhe autori i një emisioni televiziv në Slloveni, e ka komentuar raportimin e mediave për lidhjet e ambasadorit Martin Berishaj me ish-drejtuesin e Lotarisë Sportive në Slloveni, Janez Bukovnik.
“E pabesueshme”, ka shkruar Pozhar, në një reagim ndaj nxjerrjes në pah të lidhjeve të reja të ambasadorit Berishaj, të përfshirë në një skandal financiar, me figura të tjera të rëndësishme sllovene.
Berishaj figuron udhëheqës i një biznesi në Prishtinë, në ortakëri me dy afaristë sllovenë. Njëri prej tyre është Janez Bukovnik, ish-drejtues i Lotarisë Sportive në Slloveni. Në mediat sllovene, Bukovnik është përfolur për pagesat astronomike që pranoi pas pensionimit.
“Pas shpërthimit të aferës së Robert Golob dhe Martin Berishajt, mediat e huaja sapo kanë zbulojnë një sipërmarrje të përbashkët në pronësi të Martin Berishajt dhe Janez Bukovnikut, ish-drejtor i Lotarisë Sportive dhe zyrtar i federatës së skive në Slloveni”, shkroi gazetari slloven.
Të enjten, ambasadori Berishaj u përfshi në një skandal financiar të cilin e zbuloi Planet TV, një medium slloven.
Ai dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Afera e dyshimtë për shpërlarje parash është zbuluar dhe transmetuar nga televizioni Planet TV të enjten. Hulumtimi bazohet në dokumente.
Ambasadori Berishaj dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës mes një kompanie serbe dhe politikanit slloven, Robert Golub. Në mes tyre, sipas hulumtimit të televizionit slloven, ndodhen 600 mijë euro të dyshimta.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.