Skandali i Berishajt, Tahiri flet për një “skenar të organizuar nga Kurti”

Aktuale

Skandali i Berishajt, Tahiri flet për një “skenar të organizuar nga Kurti”

Më: 24 prill 2022 Në ora: 14:28
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka shkruar rreth kandalit financiar ku dyshohet se është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Sipas tij, nga ky skenar, dëmi më i madh iu shkaktua qytetarëve, kurse përfitimi “në kurriz të tyre i shkoi mafisë energjetike të Serbisë”.

Ai tha se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se ku kanë shkuar e për çka janë shpenzuar paratë e tyre “që qeveria ua mori përmes haraçit në emër të krizës”.

“Duhet ta dinë se ku kanë shkuar, për çfarë janë shpenzuar dhe kush ka përfituar nga 100 milionët e ndarë nga qeveria gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye, ne kemi kërkuar hetimin parlamentar të kësaj super afere. Ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar nuk është agjendë politike por kusht i domosdoshëm demokratik për të mundësuar llogaridhënien dhe transparencën”, shkroi ai në Facebook.

Deputeti opozitar shtoi se tashmë është e qartë pse mazhoranca ka refuzuar ta mbështesë hetimin parlamentar për këtë çështje.

“Por amnisti për krimin, korrupsionin dhe abuzimin me taksa të qytetarëve nuk ka e nuk do të ketë. Komisioni hetimor parlamentar do të themelohet me çdo kusht, me ose pa vullnetin e mazhorancës. Efekti i vetëm i kësaj pengese që pushteti po përpiqet ta vendosë ndaj transparencës, është rreshtimi me krimin e abuzimin”, shtoi ligjvënësi i PDK-së.

“Kartelin e rrymës” na e zbuloi një media sllovene, përmes së cilës kuptuam se Martin Berisha ishte njëri nga “sekserët” e Albin Kurtit. Kush e di edhe sa “sekserë” të tjerë kanë emër e mbiemër të cilët pushteti i Kurtit po përpiqet t’i mbajë të fshehur. Lista me gjasë do jetë mjaft e gjatë dhe ne do ta nxjerrim në dritë këtë listë”, përfundoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat