Sulmet ndaj Policisë/ Reagon eksperti i sigurisë - Ky është qëllimi!

Aktuale

Sulmet ndaj Policisë/ Reagon eksperti i sigurisë - Ky është qëllimi!

Më: 26 prill 2022 Në ora: 12:46
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës është sulmuar sot përsëri në veri, më saktësisht në Zupçe të Zubin Potokut.

Ky është edhe sulmi i gjashtë ndaj tyre që po organizohet në veri.

E, ky sulm ndaj Policisë, nga njohësi i sigurisë Avni Islami po shihet si i organizuar.

Dhe, thotë se këto sulme po vijnë pikërisht nga shteti serb.

“Me vet faktin që kryhen me një profesionalizëm të lartë ku nuk lënë gjurmë kjo kryhet nga specialistë, njerëz të cilët janë të stërvitur dhe kanë plan operativ dhe kur i shtrohet kësaj unë mendoj se sulem të tilla vijnë nga shtetit serb të cilat këto sulme organizohen në mënyrë të sinkronizuar në bashkëveprim me strukturat ilegale dhe të krimit të organizuar në veri të Kosovës”, deklaron Islami.

Sipas tij, sulmet e tilla kanë për qëllim destabilizimin e veriut të vendit.

Ndërsa, pohon se kjo do t’i konvenonte Serbisë e më së shumti Rusisë.

“Mendoj se veprime të tilla merren me një qëllim që veriu i Kosovës të jetë shënjestër dhe të jetë në nivel të destabilizimit sepse kjo do t’i konvenonte Serbisë dhe Rusisë e më tepër Rusisë ku në këtë kohë bashkësia ndërkombëtare fokusin e veçantë e ka zhvendosur tek Ukraina dhe një destabilizim i veriut të Kosovës dhe Kosovës së përgjithësi do ta destabilizonte Ballkanin e kjo do t’i konvenonte sidomos Rusisë në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare ta tërheq vëmendjen dhe të ndahet në një farë mënyre në dy fronte dhe të mos jetë e fokusuar në përgjithësi në Ukrainë”, është shprehur Islami.

Duke, pasur parasysh këtë Islami pohon se organet e sigurisë në vend, duhet të kenë plan operativ në mënyrë që më të mos ndodhin raste të tilla.

“Organet e sigurisë të Kosovës kanë planin operativ dhe do të duhej ta kenë një plan operativ në mënyrë që të mos ndodhin raste të tilla, mos t’u lihet hapësirë grupeve kriminale dhe njerëzve profesionistë që të mos sulmohen Policia e Kosovës”, ka thënë ai.

Autoritetet në Kosovë, më 15 prill, kanë bërë të ditur për të parën herë se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve në veri të Kosovës.

Sulmi i parë sipas zyrtarëve të Kosovës, ka ndodhur më 13 prill, ndërsa për një javë janë regjistruar pesë sulme në total.

Sulmi i 26 prillit është i gjashti në dy javët e fundit.

Sipas autoriteteve, në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.

Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.

Më 15 prill, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se policia e shtetit ka qenë “cak i sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”.

“Unë mendoj se qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është ta sulmojë, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë Sveçla më 15 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat