Misioni i OSBE-së mbështet integritetin e proceseve zgjedhore në Kosovë

Aktuale

Misioni i OSBE-së mbështet integritetin e proceseve zgjedhore në Kosovë

Më: 27 prill 2022 Në ora: 18:47
Seminari me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)

Në Strugë të Maqedonisë Veriore, më 21 prill, u përmbyll seminari katër ditor me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) mbi rishikimin e rregullave zgjedhore.

Qëllimi i seminarit ishte rishikimi dhe harmonizimi i këtyre rregullave sipas ligjit aktual për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjet e tjera të lidhura në Kosovë, në përputhje me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe Misionit të OSBE-së, bazuar në mësimet e nxjerra nga proceset e mëparshme zgjedhore.

Gjatë këtij seminari, KQZ-ja, me mbështetje të Ekipit Zgjedhor të Misionit të OSBE-së, identifikoi çështjet që kërkojnë ndryshime ligjore dhe përgatiti një sërë rekomandimesh për referencë të Komisionit të përkohshëm Kuvendit të Kosovës për përmirësimin dhe fuqizimin e procesit zgjedhor dhe grupit të tij këshillues.

KQZ-ja shqyrtoi rregullat më të rëndësishme në lidhje me regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, certifikimin e subjekteve politike dhe kodin e tyre të mirësjelljes, vëzhguesit e zgjedhjeve, si dhe rregullat zgjedhore në lidhje me listën e votuesve dhe votimin jashtë Kosovës. Gjithashtu, u ndanë informata mbi standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira për zgjedhjet.

“Procedurat e qarta zgjedhore ndihmojnë KQZ-në në organizim të duhur të zgjedhjeve, por edhe rrisin besimin publik në proceset e përgjithshme zgjedhore,” tha Nathania Tabone, këshilltare e lartë ligjore për zgjedhjet në Misionin e OSBE-së.

Ndryshimet në rregullat zgjedhore për të cilat KQZ-ja ka rënë dakord gjatë seminarit do të finalizohen nga KQZ-ja në javët në vijim.

Draft-rregulloret përfundimtare duhet t’i nënshtrohen një konsultimi publik me palët e tjera kyçe të interesit zgjedhor, siç janë organizatat e specializuara të shoqërisë civile për zgjedhjet dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë të ofrojë këshilla teknike dhe ekspertizë për KQZ-në, PZAP-in dhe sekretariatet e tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e ofruara nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat