Të mllefosurit e opozitës çfarë po kërkojnë?! / A po e mbrojnë Listën serbe, në emër të rankoviçizmit

Aktuale

Të mllefosurit e opozitës çfarë po kërkojnë?! / A po e mbrojnë Listën serbe, në emër të rankoviçizmit

Nga: Idriz Morina Më: 28 prill 2022 Në ora: 19:25

Për çka janë kaq të mllefosura partitë opozitare, veçmas PDK-ja e AAK-ja.

Fjalori që po e përdorin ato, nuk ka të bëjë as me situata lufte, dhe as me situata rruge. Por, thirrjet, akuzat dhe shprehjet e dyshimta, janë po aq të pavenda sikur të ishte në prapavijë një përplasje fatale.

Deputeti i PDK-së, i shan me nënë deputetët apo zyrtarët e Vetëvendosjes, ndërsa kur e kritikojnë rëndë, tërhiqet dhe mundohet t’i bëjë budallenjë të gjithë ata që e kanë dëgjuar, se ai nuk e kishte me deputetët.

Po me kë mund ta kishte në sallën e Kuvendit, të seancave dhe pikërisht në seancë, kur ai sapo kishte folur sipas radhës në transmetim publik të drejtpërdrejtë?!

Vulgaritet

Një deputet, dhe për më tepër një njeri që ka siguruar tituj akademik nuk mund të sillet kësisoji. Është pak të kërkojë falje para qytetarëve.

Është koha që ai ta pyes veten, se si është ndjerë gruaja e tij Yllka, dhe si mund të jenë ndier dhe ndjehen Jonila dhe Pirro, kur nesër shokët dhe shoqet e tyre mund t’i flasin për fjalët e pista të babait të tyre!

Image
Abelard Tahiri kryetar i GP të PDK-së

Ende pa gjetur një zgjidhje për çështjen e shurdhuesve të armëve, sa ishte shef i kabinetit të Kryeministrit Thaçi (2011), ai vazhdon që në emër të kritikës ta sfidojë sistemin. Natyrisht që publiku nuk ka pritur që Abelardi të vetëdorëzohet para drejtësisë, në mënyrë që ajo të vendos për rastin e financimit të kabinetit qeveritar me shurdhues, ama nuk ia ka borxh të dëgjojë vulgaritetin, përpjekjet për denigrim të të tjerëve për ta shtyrë apo për ta bërë të pamundur llogaridhënien!

Në ndërkohë, si për ta bërë të harrohet gabimi i Abelardit, vjen goditja e ish kreut të policisë së Kosovës, drejtorit të besueshëm të Hashim Thaçit, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj, i cili hedh një parabolë të rrezikshme të ngjarjeve, të paktën në dukje aspak profesionale, veçmas pa nxjerrë në publik argumentet, mbi të cilat ai e mbështet logjikën e tij.

Krahasimi i sulmeve terroriste me sulmet në mbrojtje të sovranitetit

Sipas Qalajt, në veri serbët po i sulmojnë policët e Kosovës ngjashëm siç bënte opozita dikur.

“Policët që janë lënduar e të cilët janë trajtuar jashtë vendit, sot po sulmohen në një pjesë të territorit. Po sulmohen me mjete të ndryshme, pra, të zjarrit. Por po sulmohen edhe me iriqë...”, tha ai në Kuvend.

A ka menduar Qalaj, se me këtë po i shfajëson sulmet terroriste të serbëve në veri. Madje sulme të ngjashme janë bërë nga serbët edhe kur ai e ka udhëhequr Policinë e Kosovës, si drejtor, por edhe në përgjegjësi të tjera të larta, por për të cilat thuajse nuk është arrestuar askush.

“Patëm protesta të dhunshme dhe tentativa me i kallë zyrat e qeverisë, ndërtesën e qeverisë me koktej të Molotovit për procese të ndryshme. U lënduan policë...”, tha Qalaj duke iu referuar protestave për demarkacionin dhe asociacionin antikushtetues!

Image
Ish-drejtori i policisë deputet i PDK-së, Rashit Qalaj

Pra, sipas Qelajt opozita e ka cenuar rendin kushtetues, siç po akuzohen sot nga sistemi i drejtësisë me gjasë (sipas deklaratave të Listës serbe) ata që i kanë sulmuar policinë e Kosovës me armë zjarri dhe të tjerë që kanë kryer aktivitete kriminale të rënda.

Lista serbe bëri ftesë për mosbindje qytetare të serbëve dhe kërcënoi se do të mbrohen me çdo mjet jodemokratik, nëse policia përpiqet t’ia arrestojë serbët, të dyshuar për krime, përfshirë për sulmet ndaj policisë.

Qalaj duket se është dakord me këto thirrje!

Stanishiqët dhe rankoviçistët

Thuajse për t’i vënë kapak këtij lloj debati të rëndë deri në harlisje u shfaq sot me akuza edhe më brutale, Ramush Haradinaj.

Sipas tij, pushteti i sotëm është i identifikuar me mbrojtës të Stanishiqt, por edhe me rankoviçizëm. Lëvizja Vetëvendosje në pushtet po “mbron interesa të kompanisë ose interesave politike të njerëzve të Stanishiqit dhe Rankoviqit”.

Nuk e dimë se ku mund të jetë frymëzuar për akuzën rankoviçiste Ramushi, por vetëm një gjë është e sigurt se në komunikimin e derisotëm, rankoviçistët dhe millosheviçistët njihen si udhëheqësit më brutal ndaj shqiptarëve, që nuk kanë kursyer mjete as mënyrë për të zhdukur shqiptarët.

Rankoviçi dhe forcat jugosllavo-serbe partizane janë përgjegjëse vetëm për masakrën e Gjilanit ku barbarisht sipas studiuesve u vranë rreth tetë mijë shqiptarë, shumë prej tyre me valë, pastaj të tjerë duke ua copëtuar trupat me sakica dhe duke ua ndarë me tërheqje mekanike gjymtyrët. Po ashtu janë përgjegjëse për masakrën e Tivarit dhe masakra të tjera, të cilat e kalojnë dukshëm numrin e viktimave të shqiptarëve gjatë luftës me Serbinë e Millosheviçit.

Gjatë regjimit rankoviçist u detyruan të shpërngulën rreth 450 mijë shqiptarë nga ish-Jugosllavia për në Turqi, për t’mos u kthyer kurrë. Po ashtu mijëra të tjerë janë vrarë, burgosur gjatë regjimit komunist të diktatorit Tito, deri në rënien e Rankoviçit.

Për herë të dytë Rankoviçi është bërë figurë, por në kontekst pozitiv është përmendur nga ish-presidenti Hashim Thaçi, sipas të cilit “Rankoviçi ia ka dhuruar një pjesë të veriut Kosovës”, përkatësisht Leposaviçin, Leshakun dhe Zubin Potokun. Sipas Hashim Thaçit këtë dhuratë duhej kthyer mbrapsht, dhe ata që e donin, janë rankoviçista!

Image
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj

Nga kjo rezulton se Ramush Haradinaj, po i quan rankoviçista dhe mbështetës të këtij emri të tmerrshëm ata shqiptarë, që po duan ta mbrojnë veriun.

Sipas Ramush Haradinajt, pra deklarata e tij konoton:

Ramushi ka ndryshuar qëndrim plotësisht (ose e ka fshehur atë) dhe po kërkon që veriu t’i jepet Serbisë, sipas modelit të Hashim Thaçit, përkatësisht të Serbisë, ndoshta me shpresë se mund t’i merret Presheva dhe disa fshatra Serbisë.

Ramushi po kërkon ndëshkim për ata që janë kundër ndarjes së Kosovës, sepse po bëhen rankoviçista!

Veriu nuk duhet mbrojtur më tej nga policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë.

Por, i gjithë ky shqetësim i Ramushit dhe opozitës, të bën të dyshosh se ata janë në hall dhe po ndihen gjithnjë e më shumë të kërcënuar dhe të pasigurt nga veprimi i institucioneve të drejtësisë.

Veçanërisht duken të frikësuar nga ato, që mund të zbulojnë hetimet e raporteve me serbët në veri, në tregti, kontrabandë dhe veprime të tjera të paligjshme, përfshirë, mos vendosjen e rendit dhe ligjit atje!

Sa i përket Stanishiqit, njeriu më i akuzuar që ka bashkëpunuar me të konsiderohet Baton Haxhiu, për të cilin Millosheviçi në Hagë i kishte thënë “ti je i yni”.

Dhe Baton Haxhiu, ka qenë thuaja një lloj mentori i të gjitha partive, për një kohë, si këshilltar për veprimet apo vendimet që duhet marrë, si për PDK-në, LDK-në e edhe AAK-në.

Natyrisht, që nëse në çfarëdo mënyre, kushdo që ka kryer transaksione me biznese që drejtojnë njerëz të Stanishiqit, ish kreut të sigurimit të Serbisë në kohë të Millosheviçit, duhet të dorëhiqen dhe të merren në përgjegjësi nga drejtësia.

Kosova ka vuajtur dhe po vazhdon të vuajë pikërisht nga shqiptarët bashkëpunëtorë të regjimeve, përkatësisht të shërbimeve inteligjente të Serbisë. Është koha të spastrohet pushteti dhe politika nga njerëzit e atillë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat