Kurti niset drejt Gjermanisë për takimin me Kancelarin Scholz

Aktuale

Kurti niset drejt Gjermanisë për takimin me Kancelarin Scholz

Më: 4 maj 2022 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 13:48 më 04.05.2022
Albin Kurti

​Këto janë pritjet për takimin e sotëm Kurti-Vuçiq në Berlin

Pas dhjetë muajve sot do të rikthehen takimet e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi. Për herë të tretë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të zhvillojë takim kokë më kokë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Qëndrimi i sotëm në Berlin i liderëve të Kosovës dhe Serbisë dhe përfshirja e Gjermanisë në dialog po konsiderohet t’i jep dinamikë të re procesit për arritjen e marrëveshjes finale, por edhe si mundësi e përafrimit të marrëveshjeve të pazbatuara deri më tani, përfshirë edhe ajo për targat.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për KosovaPress se Kosova dhe Serbia duhet t’i marrin seriozisht kërkesat që mund të vijnë nga kancelari Scholz për arritjen e marrëveshjes finale me qendër njohjen reciproke.

Në këtë drejtim, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme edhe takimin e kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman, Haxholli thotë se presioni më i madh duhet të drejtohet kah Serbia, pasi e njëjta po heziton në njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Haxholli: Roli i Gjermanisë do t’i jep një dinamikë të re procesit të dialogut

“Palëve do t’iu kërkohet edhe Kosovës dhe Serbisë që të përkushtohen më shumë në procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që kërkohet tash e shumë kohë nga ana e BE-së, kërkesë në gjitha raportet zyrtare që vijnë nga BE-ja kur i drejtohen Kosovës dhe Serbisë. Vizita është padyshim shumë e rëndësishme, mendoj se roli i Gjermanisë do t’i jep një dinamikë të re procesit të dialogut, pasi vjen një kërkesë nga një shtet shumë i rëndësishme i BE-së dhe besoj se Kosova dhe Serbia do të marrin shumë seriozisht kërkesat që mund të vijnë nga kancelari gjerman. Në këtë drejtim, besoj se presioni më i madh duhet të drejtohet kah Serbia, pasi është ky shtet që refuzon të njoh shtetin e pavarur të Kosovës dhe që ka bërë pengesa në arritjen e një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke”, deklaron Haxholli.

Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, thotë për KosovaPress se me rëndësi të veçantë është rikthimi i dialogut të nivelit të lartë dhe veçmas në zyrën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Kjo, sipas tij tregon se palët po i rikthehen dialogut me objektiv të qartë, arritjen e marrëveshjes finale.

Raci: Takimet e nivelit të lartë po rikthehen për të arritur marrëveshjen finale

“Me rëndësi është që takimet e nivelit të lartë po rikthehen dhe atë në zyrën e kancelarit gjerman. Kjo tregon se Gjermania socialdemokrate është po ashtu e njëjta me Gjermaninë e kancelares Merkel. Kjo është e rëndësishme për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, sepse palët po i kthehen dialogut për të arritur marrëveshjen finale sa më shpejt të jetë e mundur. Takimi po mbahet edhe për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë. Natyrisht edhe Gjermania dhe SHBA janë të interesuar që Ballkanin Perëndimor të stabilizojnë sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që të mos jetë arenë e përplasjeve të reja të Rusisë”, tha Raci.

Takimin Kurti-Vuçiq, Violeta Haxholli e sheh edhe si mundësi për përafrimin e diskutimeve në disa marrëveshje të tjera që nuk po zbatohen, përfshirë edhe ajo për targat e automjeteve.

Haxholli: Çështja e targave e marrëveshjeve të tjera që s’po zbatohen, do të përmenden

Çështja e targave dhe çështja e marrëveshjeve të tjera që ende hasin në sfidat e zbatimit mund të jetë si çështje që mund të përmendet, por nuk besoj se mund të ketë ndonjë marrëveshje në këtë takim sa i përket kësaj çështje të veçantë. Besoj se diskutimi do të fokusohet në pika të trasha sa i përket procesit të dialogut në rritjen e përpjekje të dy palëve për të arritur një marrëveshje finale”, shton ajo.

Vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti zhvilloi dy takime me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por pa arritur ndonjë progres në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i sotëm Kurti-Vuçiq do të ndodhë me prezencën e ndërmjetësuesit, njëherësh emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili po ashtu do të ketë takim me kancelarin gjerman në Berlin.

Kurti niset drejt Gjermanisë për takimin me Scholz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Berlin, Gjermani, ku do të ketë takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

Kurti dhe Scholz, sipas njoftimit nga zyra e kancelarit, do të flasin mbi zhvillimet e mëtejshme për statusin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës që lidhet ngushtë me ofrimin e këtij vendi me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Pos Kurtit, kancelari gjerman pret edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse ndaras.

Si me Kurtin, ashtu dhe me Vuçiqin, kancelari gjerman do të dalë në konferencë për media, njofton Klankosova.tv.

Ndërkohë, në Berlin zbarkon edhe emisari evropian për dialogun kosovaro-serb, Miroslav Lajçak. Ai do t’i takojë në mbrëmje Kurtin dhe Vuçiqin.

Kancelari Scholz sot pret Kurtin e Vuçiqin ndaras

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë sot takime të ndara në Berlin me kancelarin Olaf Scholz.

Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode përmes një postimi në Twitter.

Ai ka shkruar se Scholz do ta mbajë një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, pas takimeve, në orën 16:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat