​Hoxha: Çdo pengesë për krijimin e komisioni hetimor për energji, është cenim i demokracisë

Aktuale

​Hoxha: Çdo pengesë për krijimin e komisioni hetimor për energji, është cenim i demokracisë

Më: 4 maj 2022 Në ora: 15:44
Uran Ismaili dhe Eliza Hoxha

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se krijimi i komisionit hetimor parlamentar mbi krizën energjetike të iniciuar nga kjo parti, është i nevojshëm dhe se çdo pengesë për krijimin e këtij komisioni është cenim i demokracisë dhe shkelje kushtetuese.

Në një konferencë për media sot, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili u shpreh se në muajin mars Kosova ka importuar vetëm 0.56% energji elektrike, derisa ka prodhuar shumë më shumë energji sesa nevojat e konsumit.

Ismaili: Kosova në muajin mars ka importuar 0.56% energji elektrike

“Realitetin mujor të zbërthyer në ditë tregon se ai vendim, ajo ngritje e energjisë elektrike ka qenë e panevojshme dhe e padrejtë. Në tabelën që e kam këtu që tregon muajin mars tregon se shtyllën e prodhimit të KEK-ut kemi 585 mijë 59 megavat, më pastaj kem Lumëbardhin me 604… Totali i prodhimit në Kosovë në muajin mars ka qenë 623 mijë e 405 megavat. Kur kësaj i vihet përballë kërkesa për konsum ku është 479 mijë e 329 megavat, atëherë kjo na jep një realitet ku shohim qartë se prodhimi ka qenë në 150 mijë megavat më shumë sesa konsumi në muajin mars, por ne kemi prodhuar shumë më shumë sesa që kemi pasur nevojë. Kjo tregon që vendimi ka qenë i padrejtës dhe i panevojshëm që qytetarët tanë të paguajnë faturat me çmime 100% më të shtrenjta të energjisë elektrike… Importi i Kosovës për muajin mars ka qenë 2766 megavat ose shprehur në përqindje mesatarja e muajit mars ka qenë 0.56%, pra më pak se 1 % kërkesë për import dhe kjo tregon qartë se Kosova ka prodhuar mjaftueshëm që të mos ketë nevojë fare për ngritje të çmimit të energjisë elektrike”, tha ai.

Ismaili konsideron se Qeveria e Kosovës përpos që shtrenjtoi energjinë elektrike ka ndarë buxhet prej 100 milionë euro për subvencionim të energjisë elektrike dhe kështu qytetari për rrymën e shpenzuar ka paguar dy herë.

Ismaili: Qytetarët kanë paguar dy herë për energjinë elektrike

“Qeveria përpos që ka shtrenjtuar energjinë elektrike çka ka bërë tjetër është se ka ndarë buxhet prej 100 milionë euro po ashtu për të subvencionuar energjinë elektrike gjatë këtyre muajve, pra sot qytetari I Kosovës familjet tona paguajnë dy herë, herën e parë nga xhepi i tyre nga buxheti familjar në mënyrë direkte paguajnë një çmim të energjisë elektrike që nuk është konform fakteve dhe në anën tjetër po ashtu paguajnë nëpërmjet taksave të tyre në vlerë prej 100 milionë euro”, tha Ismaili.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka theksuar nevojën për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike. Sipas saj çdo pengesë për krijimin e këtij komisioni është cenim i demokracisë dhe shkelje kushtetuese.

Hoxha: Çdo pengesë për krijim të komisionit hetimor është cenim i demokracisë

“Unë kam nevojë edhe njëherë që të ritheksoj nevojën për themelimin e këtij komisioni hetimor dhe për procesin nëpër të cilin ka kaluar gjithë kjo çështje… Një e treta e deputetëve të Kuvendit të Kosovës faktikisht përbën kategori kushtetuese, sepse në nenin 77, pika dy, Kuvendi me kërkesën e 1/3 të deputetëve cakton komisionin për çështje të caktuara apo për çështje hetimore, e njëjta përcaktohet edhe me Ligjin për hetim parlamentar dhe dua ta citoj në ‘në rastet kur kërkesa për themelimin e komisionit hetimor vjen nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kuvendi detyrimisht në seancë plenare themelon komisionin. Nëse kërkesa në Kuvend shkon nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, edhe me Kushtetutën e Kosovës por edhe me Ligjin për hetim parlamentar, neni 4 pika 3, Kuvendi detyrohet ta themelojë komisionin. Të jemi të qartë se ky komision edhe me Kushtetutë edhe me Ligjin për hetim parlamentar duhet të cilësohet si i themeluar dhe çdo debat e pengesë tutje në raport me këtë komision hetimor të nisur nga PDK për çështjen e sektorin e energjisë nga shpallja e krizës emergjente, është pengesë dhe cenim i demokracisë dhe shkelje kushtetuese dhe kjo është hera e parë që në historinë parlamentare të Kosovës pengohet themelimi i një komisioni parlamentar hetimor”, u shpreh Hoxha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat