Tahiri: Do të hetohet mbi çfarë baze e për llogari të kujt është dyfishuar çmimi i energjisë

Aktuale

Tahiri: Do të hetohet mbi çfarë baze e për llogari të kujt është dyfishuar çmimi i energjisë

Më: 5 maj 2022 Në ora: 18:14
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë do të hetojë se mbi çfarë baze e për llogari të kujt është dyfishuar çmimi i energjisë elektrike.

Deputeti i PDK-së përmes një shkrimi në Facebook tha se “transparenca dhe llogaridhënia janë kusht e shtyllë për demokraci”.

“Që nga muaji mars, pushteti ka bllokuar në vazhdimësi kërkesën tonë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e dyshimeve të bazuara e tashmë të njohura mirë për publikun, rreth menaxhimit të periudhës së krizës energjetike, me kërkesë për transparencë dhe llogaridhënie për 125 milionët e ndarë nga qeveria, si dhe për bazën mbi të cilën është rritur çmimi i energjisë elektrike”, ka shkruar ai.

Sipas tij përkundër refuzimit nga pushteti aktual, PDK ka bërë të qartë se këto dy shtylla vitale të demokracisë nuk mund të sabotohen.

Tutje Tahiri ka falënderuar deputetët e opozitës për mbështetjen për themelimin e këtij komisioni, që sipas tij me këtë komision qytetarët do të kenë mundësi të shohin nga afër se si janë shpenzuar taksat e tyre gjatë kësaj periudhe.

“Përkushtimi ynë për transparencë e llogaridhënie rreth kësaj çështje legjitime dhe të drejte kushtetuese, nga sot do të arrijë të jetësohet. I falënderoj deputetët e opozitës për mbështetjen e pakusht për të mundësuar themelimin e komisionit hetimor. Me jetësimin e këtij komisioni, qytetarët do të kenë mundësi për të parë nga afër se si janë shpenzuar taksat e tyre gjatë kësaj periudhe dhe mbi çfarë baze e për llogari të kujt është dyfishuar çmimi i energjisë elektrike”, shtoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat