Çfarë bisedoi saktësisht në darkë me Vuçiqin, përgjigjet Kurti

Aktuale

Çfarë bisedoi saktësisht në darkë me Vuçiqin, përgjigjet Kurti

Më: 5 maj 2022 Në ora: 18:39
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, ka folur për darkën joformale që e zhvilloi mbrëmë së bashku me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin të Gjermanisë.

Kurti tha se i ka mbrojtur interesat e shtetit, gjithmonë duke u mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kam mbrojtur interesat e shtetit. Gjithmonë duke e pasur dysheme dhe tavan ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem, me shumë përgjegjësi për detyrën që e mbaj, dhe në të njëjtën kohë me krenari për pozitën që më është besuar”, tha shefi i qeverisë në konferencën e përbashkët me ministren gjermane të Mbrojtjes,  Christine Lambrecht.

Kurti tha se nuk janë në parim kundër dialogut, porse nuk duan dialog pa parime.

“Ne nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një nga parimet është barazia e palëve. Në atë darkë, nuk kemi pasur gjellëra të ndryshme. Ka qenë barazia e palëve dhe e kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit mes kryenegociatorëve”, shtoi Kurti.

Mes tjerash, ai shpreson që më 13 maj kur do të takohen në Bruksel kryenegociatorët e dy vendeve Kosovë-Serbi, të zgjidhen çështja e tarave dhe mos-pagesës së energjisë elektrike në veri të vendit.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhjen reciproke të targave si dhe mos-pagesës së energjisë në veri dhe po ashtu për nevojën për të përshpejtuar zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në luftë”.

Po ashtu, ai tha se darka jo-formale e djeshme në Berlin ishte darkë pune e organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Darka e mbrëmshme ishte darkë pune e organizuar nga kancelari Olaf Scholz, me ç’rast e falënderoj për kohën dhe mikpritjen e tij për t’i normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që ato të jenë të mira dhe fqinjësore”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat