​VV: Dëshpërues mos votimi i marrëveshjes për reforma në skema sociale

Aktuale

​VV: Dëshpërues mos votimi i marrëveshjes për reforma në skema sociale

Më: 11 maj 2022 Në ora: 16:21
Armend Muja dhe Fatmire Kollçaku

Dështimin e votimit të marrëveshjes ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë, partia në pushtet po e konsideron si të paprecedent dhe veprim që sipas saj dëshmon se opozita nuk punon për të mirën e qytetarëve.

Në një konferencë për media, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku e ka quajtur dëshpërues mos votimin e kësaj marrëveshjeje nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Kollçaku: Dëshpërues mos votimi i marrëveshjes

Jam e befasuar për të keq duke parë 24 vota kundër të opozitës në raport me një marrëveshje ndërkombëtare nga e cila do të përfitonin aq shumë njerëz të cilët janë në nevojë. Nëse bazohemi në gjendjen e rëndë në vend, sepse kemi varfëri të madhe ekstreme dhe përfitojnë shumë njerëz dhe pikërisht ata që janë më në nevojë, dhe ne sot të dëgjojmë nga shefat e grupeve të këtyre subjekteve që edhe nuk do ta votojnë edhe nëse risillet në Kuvend, kjo është jo vetëm dëshpëruese, por mendoj se qytetarët e kanë të qartë se shumë prej deputetëve nuk punojnë për të mirën e tyre dhe të vendit”, u shpreh Kollçaku.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se deputetët e opozitës duke mos e përkrahur marrëveshjen ndërkombëtar për reformë në skema sociale është i paprecedentë. Muja tregoi për të mirat që do të përfitonte Kosova përmes kësaj marrëveshjeje.

Muja: Mos votimi i marrëveshjes për reforma në skemën sociale i paprecedentë

“Në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një gjë e paprecedentë në historinë parlamentare të Kosovës. Për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e skemave sociale. Ka qenë një projekt i filluar në vitin 2019. Banka Botërore e ka pasur zotimin e qeverisë në vitin 2019, 2020 dhe tash mjerisht është rrëzuar sot në Kuvend nga PDK dhe LDK. Këtë marrëveshje Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria Kurti e ka parë jetike për shkak të inflacionit. Në kuadër të këtij projekti kemi të paraparë dy intervenime, e para ka qenë të zgjerohet baza e asistencës sociale sepse sipas Bankës Botërore, megjithëse familjet pranojnë asistencë sociale, ato ende vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe e dyta ka qenë që personat me skema sociale të ndihmohen duke u aktivizuar në tregun e punës”, tha ai.

Muja po ashtu u shpreh se opozita nuk mund të jep arsye të veçantë për mos përkrahje të marrëveshjes.

Muja: Opozita nuk po mund të jep arsye të veçantë

“Nuk po mund ta japin një arsye të veçantë, por ajo çka për neve është shumë e qartë është se ne kemi dallime në koncept, këta janë mësuar në njëfarë mënyre të marrin marrëveshje vetëm për kredi, për supermarket dhe pompa të benzinës, kurse koncepti jonë i asistencës sociale fokusohet te grupet shoqërore që kanë më së shumti nevojë“, theksoi Muja.

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së votuan sot kundër marrëveshjes ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë, derisa pro ishin 63 deputetë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat