Lumir Abdigjiku dhe LDK-ja duhet të distancohet qartësisht nga ‘klubi i vrasësve’!

Aktuale

Lumir Abdigjiku dhe LDK-ja duhet të distancohet qartësisht nga ‘klubi i vrasësve’!

Nga: Idriz Morina Më: 11 maj 2022 Në ora: 16:49

LDK-ja me një udhëheqje të re po duket sikur ka filluar ta marrë veten, pas debaklit katastrofal, në zgjedhjet e kaluara nacionale. Por, asaj po i mungon pavarësia e këtij lidershipi, nga grupi që e përmbyti LDK-në, dhe lidhjet që kishte krijuar me krerët që gjenden në Hagë dhe vartësit e tyre, që gjenden me bollëk dhe ende shumë të fuqishëm në Kosovë.

Shkëputja nga e shkuara e palavdishme, e atyre që e sollën në prag të shthurjes LDK-në, dhe kthimi i pashmangshëm kah parimet e rugovizmit, që janë derivime apo identitete me vetë demokracinë dhe humanizmin europian, janë e vetmja rrugë që garanton suksesin.

Mjafton të analizojmë vetëm pak shembuj të thjeshtë për të kuptuar, se sa e kishin zvetënuar LDK-në dhe rugovizmin.

Image
Isa Mustafa edhe emociaonalisht duket se nga situata mund ta nxjerrë Thaçi, pra se i mungonte pavarësia

Përpjekja për ndryshimin e emrit

Një LDK, që ia ka ndërruar edhe emrin partisë së Rugovës, duke e quajtur thjesht Lidhja, (lidhja me pikë.).

Rugova nuk e quante Lidhja, kur donte të tregonte kuptimin e LDK-së në një kontekst tjetër kuptimor. Ai e quante Lëvizje, si një lëvizje për Pavarësi.

Derisa Lidhja shpreh një bashkim, edhe koheziv sipas konceptimit të Rugovës, ajo nuk shpreh proces. Është Lëvizja që shpreh proces, që shpreh drejtim, rrugëtim etj. Prandaj e afirmonte kujdesshëm, por vetëm kur deshte të artikulonte diçka më shumë, dhe në momente të duhura diskutimi apo për të plotësuar funksionin që kishte në jetën e shqiptarëve LDK-ja.

Por, vetëm si Lidhje kuptimi i saj humb dhe mbytet nga qindra nënkuptime, konotacione që i ka vet emri: P.sh., lidhja e fortë, lidhja e dobët, lidhja e hekurt, lidhja e zbrazët, lidhja e gjatë, lidhja e shkurtër (edhe në kuptimin elektrik-qarkut, që djeg e pjek...), lidhja mashtruese, e vërtetë, lidhja e pathyeshme, e thyeshme, e humbur e pahumbur, e gjindshme, e pagjindshme etj.

Pra, nuk kishte asnjë pikë kuptimi të sigurtë, emërtimi Lidhja, e LDK-së, as si slogan, dhe as si mbiemërtim. Ishte thjesht një zgjidhje e ulët, e pamenduar dhe negative. Që nuk mund të mendosh për asgjë tjetër, vetëm se për një motiv, të shkëputjes së dhunshme, nga identifikimi me Rugovën.

Nuk bëhet LDK-ja madhështore duke e shmangur rugovizmin. Rugovizmi është fara e saj. Kjo është edhe më keq, se sikur disa përpjekje që pas më shumë se dy dekadash duan që Fehmi Aganin, intelektualin dhe atdhetarin e madh, ta shpallin figurë më të rëndësishme se Rugovën, apo disa të tjerë për të gjallë ta shpallin Vjosen më të rëndësishme se Rugovën.

Këto janë përpjekje të dështuara sepse kanë kaluar më shumë se 20 vjet, dhe historia thuajse është shkruar për figurat historike.

Pra, Rugova e ka fituar historinë, dhe si kam shkruar në disa raste duke e ripërsëritur veten, Rugova është i krahasueshëm, por si ‘inversion’ i Skënderbeut.

Skënderbeu mbetet njëshi historik heroik që zgjidhjen e fatit të shqiptarëve e përcaktoi me luftë të suksesshme, brilante, si asnjëherë tjetër më suksesshëm në rreth 17 shekuj, i mrekullueshëm dhe i papërsëritshëm në historinë botërore.

Ndërsa, Ibrahim Rugova nëpërmjet diplomacisë dhe dijes. Jo një figurë e rëndësisë europiane apo botërore, por gjithsesi se një model origjinal dhe i pakapërcyeshëm në historinë shqiptare. Pra, në duam ta shohim në sistem, polet e boshtit janë të zëna. Të tjerët mund të radhiten pas tyre, në bazë të karakterit të ushtrimit të ndikimit dhe pushtetit faktik apo shpirtëror.

Fajësimi përpjekje për shfajësim

Përpjekjet për të fajësuar ata që se kanë votuar më LDK-në, për t’i parë si tradhtarë dhe për ta fshehur lojalitetin dhe tradhtinë e drejtuesve të LDK-së ndaj shtetit dhe rugovizmit, janë aq injorante sa nuk ia vlen të diskutohen. Përpjekjet për të fajësuar të tjerët, ata që nuk morën vendime në LDK, janë përpjekje për t’i shfajësuar ata që e përmbysën LDK-në me udhëheqjen e tyre të dështuar. Pra, përpjekjet për shfajësime të tilla, janë edhe përpjekje për fshehje të dështimeve dhe gabimeve.

Derisa Rugova ata që porositnin vrasjet politike i quante grup terrorist, pra ata që vranë Krasniqin, “Drinin”, Ukëhaxhajn, Zemajt, Tolajn, Haklajn, apo më saktësisht sipas Rugovës ata që vranë Xhemail Mustafën, Enver Malokun, Imerin, Hajdarajn, Rracin, Ukë Bytyçin... ishin “vrasësit e lirisë dhe pavarësisë”.

Image
Ilustrim me portretet e disa prej viktimave të vrasjeve politike

Por, për udhëheqësit e tjerë të LDK-së këta nuk ishin vrasës, as të lirisë dhe as të pavarësisë! Refuzimi i asaj LDK-je për të mos ndëshkuar krimet e atilla, ishin sjellje antikushtetuese dhe kundër rendit dhe ligjit, pra kundër drejtësisë në Kosovë!

Ndërsa, pikërisht këtë grupim e solli në pushtet fillimisht Fatmir Sejdiu, pastaj e ngriti në kulm Isa Mustafa, duke ia dhënë edhe Presidencën.

Pra, LDK-ja, udhëheqësja e saj e pat futur, Lëvizjen e Rugovës në shërbim të klanit të krimit, i cili shkoi më tej, edhe pas njohjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, dhe Vendimit të GJND-së, në kundërshtim me këto, pranuan një rezolutë, që e lejonte në të ardhmen të vihej në diskutim shteti i Kosovës, integriteti dhe sovraniteti.

Këtë e bëri në vazhdimësi Hashim Thaçi, pasi Isa Mustafa ia siguroi Presidencën, duke e vënë në diskutim tërësinë tokësore të Kosovës me projektin serb për shkëmbim territoresh, në fakt, humbje të territoreve të Kosovës.

Aq i fuqishëm ishte ndikimi i Thaçit, sa ai e urdhëroi Isa Mustafën ta prishte koalicionin më të mirë, që kishte Kosova që nga paslufta. Për herë të parë dy parti që thirreshin se ishin produkt i luftës, dhe që masivisht kishin përndjekur dhe vrarë mbështetësit e Rugovës, përfshirë këshilltarë të tij, ministra, deputetë, kryetarë komunash, gazetarë etj., nuk ishin në pushtet!

Pra, kjo ishte ‘kolona e pestë’! Nuk mund ta kërkosh askund tjetër këtë kolonë, përveçse tek vrasësit, plaçkitësit dhe tek tregtarët e fatit të Kosovës! ‘Kolona e pestë’ nuk ikën kurrë, ajo rri aty, derisa një ditë nuk e dëbon!

Pa distancimin nga këta njerëz, jo veç LDK-ja, por as Kosova nuk do të përparojë njëmend, por do të shkojë duke u luhatur dhe pahitur sikurse deri më tash, Kosova dhe Shqipëria.

Pra, ishte lehtë të parashikoje. Por, PDK-ja dhe AAK-ja, nuk ka shumë shpresa se nga drejtimi i tyre me arrestimet e gjykatës speciale do të largohen grupet kriminale, që kanë vrarë masivisht mbështetësit e Rugovës, dhe po ashtu që e kanë plaçkitur shtetin, pasuritë dhe në mënyra të tjera e kanë zhbërë shpresën në Kosovë.

LDK-ja nuk pranoi asnjëherë t’i ndiqte nëpërmjet drejtësisë autorët e vrasjeve politike, madje as sot që disa nga krerët janë në Hagë, se ka në mendje ndëshkimin e tyre, përveç kur i kujton disa prej viktimave. Madje disa zyrtarë të saj, jo vetëm i kanë dalur në mbrojtje gojarisht, por kanë shkuar edhe në Hagë t’i mbrojnë me ‘devocion’, për të treguar se janë të gatshëm ‘të sakrifikohen’ deri në fund për liderin e tyre!

Pra, Lumir Abdigjiku dhe LDK-ja nëse don të ecë përpara, duhet të distancohet qartësisht nga ‘klubi i vrasësve’, klubi i atyre që tri vite pas Pavarësisë së Kosovës blinin paligjshëm jo vetëm armë, por edhe shurdhues të tyre për kabinetin e kryeministrit Thaçi!

Kjo lojë apo ky nënshtrim duhet të marrë fund!

Pra, pa një katarsis të LDK-së, nuk ka sukses për të, nuk ka rritje domethënëse e cila mund ta çojë apo t’i sigurojë fitore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat