Bislimi dhe Haxhiu takojnë anëtarët e Komisionit të Venecias

Aktuale

Bislimi dhe Haxhiu takojnë anëtarët e Komisionit të Venecias

Më: 19 maj 2022 Në ora: 14:23
Foto nga takimi

Delegacioni i Komisionit të Venecias i përbërë nga raportuesja Grainne McMorrow dhe përfaqësuesi i sekretariatit të KV-së, Schnutz Durr, u pritën në takim nga zyrtarë qeveritarë me qëllim që të diskutohen draft amendamentet kushtetuese për çështjen e Vettingut dhe draft opinioni i Komisionit të Venecias mbi këto amendamente si dhe koncept dokumentin e Vettingut si tërësi.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe grupi i hartuesve të dokumenteve, njoftuan raportuesen Mc Morrow me punën e deri tanishme të grupit punues në hartimin e Amendamenteve Kushtetuese sipas modaliteteve dhe rekomandimeve të përshkruara në draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias.

Në komunikatën për media po ashtu thuhet se raportuesja u njoftua edhe me procesin e hartimit të Ligjit për Vlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku ministrja Haxhiu premtojë se, sapo të jetë gati dhe i përkthyer, drafti i ligjit do të dërgohet para Komisionit për vlerësim.

Ndër të tjera, ministrja Haxhiu përmendi edhe nevojën për Vetting si një kërkesë shoqërore për Kosovën, ekzistimin e korrupsionit të përhapur në gjithë sistemin (të konstatuar edhe në draft opinion), ndryshimet ligjore të vazhdueshme por pa rezultate konkrete dhe mos funksionimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies për gjyqtar dhe prokurorë.

Në fund, zëvendëskryeministri dhe ministrja falënderuan Komisionin e Venecias për punën e vazhdueshme që është duke e bërë në rastet që po i dërgon Kosova për opinion dhe këshillat e vlefshme që po merr nga përvoja shumë vjeçare e Komisionit të Venecias në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat