Krimet Ekonomike “zbarkojnë” në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal

Aktuale

Krimet Ekonomike “zbarkojnë” në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal

Më: 19 maj 2022 Në ora: 15:51
Fikrim Damka

Policia e Kosovës është duke i hetuar të paktën shtatë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Kështu bëjnë të ditur burime të Gazetës brenda kësaj ministrie.

Siç merr vesh Gazeta ata po dyshohen për keqpërdorime me grante, derisa ditë më parë në këtë ministri kanë “zbarkuar” edhe hetuesit policor nga Krimet Ekonomike.

“Para disa ditësh hetuesit e Krimeve Ekonomike kanë qenë në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Janë disa zyrtarë të lartë të kësaj ministrie që po hetohen nën dyshimin për keqpërdorim të granteve”, tha ky burim.

Merret vesh se hetimi ka shkuar deri tek sekretari i kësaj ministrie, Besim Kamberi.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, hetimet janë ende në fazën fillestare.

Megjithatë, zyrtarisht as nga Policia e Kosovës e as nga Ministria e Zhvillimit Rajonal nuk kanë dhënë detaje.

Gazeta ka provuar që të flas edhe me Policinë e Kosovës edhe me MZHR-në, por që askush nga këto dy institucione nuk ka dhënë detaje.
Kohë më parë, Policia e Kosovës ka pasur disa valë arrestimesh për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Janë arrestuar disa persona në Ministrinë e Bujqësisë, nën dyshimin për keqpërdorime me subvencione në bujqësi.

Pos tyre, janë arrestuar edhe disa zyrtarë e ish- zyrtarë të Ministrisë së Ambientit, nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat