​RrGK me rekomandime për heqjen e taksave në produktet menstruale

Aktuale

​RrGK me rekomandime për heqjen e taksave në produktet menstruale

Më: 24 maj 2022 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) sot lanson fushatën përmes së cilës kërkon heqjen e taksave nga produktet menstruale.

Sipas RrGK-së, aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.

Kujtojmë se ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm. Përmes kësaj fushate, RrGK do t’i informojë qytetarët dhe institucionet për rëndësinë e zbatimit të politikave gjinore në vendosjen e taksave për produktet menstruale, si dhe rëndësinë e veçantë që merr kjo në rastin e Kosovës- duke ditur se vetëm 15.9% të grave në Kosovë janë të punësuara [burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës, tremujori i parë, viti 2021]. Fushata, ndër të tjerash, sjell në debatin publik faktin se menaxhimi i higjienës menstruale është çështje e të drejtave themelore të njeriut, e duke pasur këtë ndër mend, produktet menstruale nuk mund të vazhdojnë të tatohen si të ishin produkte luksi. Për të avokuar për këtë, RrGK me datën 28 maj-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, do të dërgojë te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar “Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale”. Dokument ky i cili fillimisht u nis nga organizata anëtare e RrGK-së, EcoKos Ëomen (EKË), dhe paraqet qartë arsyet pse Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë apo të heqë krejtësisht taksat në produktet menstruale, e kështu të ndikojë në rritjen e mirëqenies së grave dhe të zbatojë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, ashtu siç edhe është zotuar. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë”, thuhet në komunikatë.

Ndër rekomandimet kryesore të RrGK-së, është që Qeveria e Kosovës të ndryshojë ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi.

Sipas analizës gjinore të RrGK-së, kjo do të shkojë në të mirën e familjeve me të ardhura të ulëta si dhe do të kontribuojë në arritjen e barazisë në mbledhjen e të ardhurave shtetërore, duke e larguar këtë taksë diskriminuese për gratë. Për më tepër, kjo do të kontribuonte në përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor, menaxhimin të higjienës personale, arsimim si dhe në punësim. Nëse heqja e tërësishme e taksës nuk është e mundur, atëherë gjithsesi kjo taksë duhet të zbritet në 8%, pasiqë në këtë mënyrë do të zbritej çmimi e tyre pa u vërejtur aq në mbledhjen e të ardhurave shtetërore. Përveç këtij dokumenti të rëndësishëm që së shpejti do e publikojmë në faqen tonë ëëë.ëomensnetëork.org, fushata do të zhvillohet edhe në rrjete sociale, ku përmes ilustrimeve do të paraqesim rekomandimet tona në të tri gjuhët; shqip, anglisht dhe serbisht. Kjo fushatë mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida)”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat