Shumica i morën sot, kur do të dalin 100 eurot për punëtorët e tjerë të sektorit privat dhe studentët?

Aktuale

Shumica i morën sot, kur do të dalin 100 eurot për punëtorët e tjerë të sektorit privat dhe studentët?

Më: 26 maj 2022 Në ora: 20:32
Hekuran Murati

100 eurot shtesë sot i kanë marrë rreth 220 mijë punëtorë të sektorit privat. Por, kur do t’iu dalin këto para punëtorëve të tjerë të sektorit privat që s’kanë qenë të lajmëruar në shkurt dhe studentëve?

Shtesat që ua kishte premtuar Qeveria, shumicës së punëtorëve të sektorit privat u kanë dalë sot nëpër xhirollogari.

Sipas Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, mbi 220 mijë persona do t’i marrin sot 100 eurot.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sapo është kryer pagesa e shtesës prej 100 euro për rreth 210 mijë të punësuar dhe 10 mijë të vetëpunësuar të sektorit privat (atyre që nuk marrin paga nga buxheti i shtetit). Pra gjithsej 220 mijë persona sot do të pranojnë në llogaritë e tyre shtesën prej 100 euro”, ka shkruar Murati në Facebook.

Por, jo të gjithë punëtorët e sektorit privat i kanë marrë këto shtesa. Pjesa tjetër e punëtorëve, që s’kanë qenë të deklaruar në shkurt, do t’i marrin 100 eurot në qershor, por me një kusht.

“Janë mbetur edhe aplikantët e lajmëruar në mars e që nuk kanë qenë të lajmëruar në shkurt, për të cilët pagesa do të kryhet në muajin qershor, me kusht që vazhdojnë të jenë të deklaruar si punëtorë për së paku tri periudha tatimore (mars, prill, maj) nga punëdhënësi”, ka shkruar Murati.

Shtesat e premtuara s’i kanë marrë ende as studentët. Murati ka deklaruar dje se pagesat për studentët do të procedohen sapo të përmbyllet afati i aplikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat