Lirohet biznesmeni Bekim Pireva, i arrestuar për rastin “Brezovica”

Aktuale

Lirohet biznesmeni Bekim Pireva, i arrestuar për rastin “Brezovica”

Më: 27 maj 2022 Në ora: 20:01
Bekim Pireva

Bekim Pireva, një biznesmen i arrestuar enjten nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në aferën “Brezovica”, është liruar sot nga mbajtja policore.

Vendimi është nxjerrë sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj, mbështetur në kërkesën e prokurorit të rastit, Rasim Maloku.

Lajmin në një bisedë telefonike e ka konfirmuar Arber Shala, avokati i biznesmenit Pireva.

“Klienti im ka qenë në ndalim me vendim të Prokurorisë edhe sot është mbajtur seanca dëgjimore dhe me vendim të gjykatës është liruar”, tha shkurtimisht ai.

Pireva dyshohet për “dhënie të ryshfetit”, por ai ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale dhe bashkëpunimin me Prokurorinë.

Sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Bekim Pireva dyshohet se më 2017-n i ka dhënë ryshfet Bratislav Nikoliqit – “Braçës”, ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2017, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare në atë mënyrë që përmes një personi tjetër i ka dhënë 10 mijë euro të pandehurit Bratisllav Nikoliq për të ia mundësuar marrjen e lejes ndërtimore në vikend-zonën e Brezovicës, të Parkut Kombëtar “Sharri” i cili ka ndërtuar në kundërshtim me ligjin për ndërtim, ligjin për ujërat e Kosovës, ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe ligjin për planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.

Bekim Pireva sipas të dhënave agjencinë e regjistrimit të bizneseve në Kosovë (ARBK) është bashkëpronar i kompanisë “Premium Bau” Sh.P.K..

Policia e Kosovës ka vazhduar dje aksionin “Brezovica” ku ka arrestuar katër persona, në mesin e të cilëve edhe Xhelil Bekteshi, ish-sekretari i ministrisë së Infrastrukturës.

Kurse, dy të tjerët e arrestuar janë I.F. dhe Xh.Sh., raporton Paparaci.

Siç njoftoi Prokuroria, gjatë kontrollit në disa objekte janë gjetur dhe dhe konfiskuar: pushkë e gjuetisë, revole, telefon celular, laptop dhe dokumente të ndryshme.

Ndryshe, që nga dhjetori i vitit të kaluar, Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë më shumë se 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në pranga janë vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Saktësisht, aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë u arrestuan 10 persona, në mesin e tyre ishte edhe ish kryetari i Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë të kësaj komune.

Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar 2022.

Gjatë operacionit të 6 janarit u arrestuan edhe 10 persona.

Policia e Kosovës aksionin “Brezovica” e vazhdoi më 3 mars.

Siç njoftoi Prokuroria e Ferizaj, deri tani janë arrestuar shtatë persona, dhe janë bastisur 12 lokacione.

Bastisjet ishin bërë në 12 lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat