​Osmani: Kosova ka më shumë nevojë për energji të gjelbër

Aktuale

​Osmani: Kosova ka më shumë nevojë për energji të gjelbër

Më: 30 maj 2022 Në ora: 21:44
Presidentja Vjosa Osmani

Sot ka nisur edicioni i pestë i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (KSDW) 2022, e cila mbetet ngjarja më e madhe për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon. Tema e sivjetme e KSDW do të jetë agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Vjosa Osmani në pamundësi për të marrë pjesë, iu është drejtuar të pranishmëve përmes video-lidhjes. Ajo tha se për shkak të zhvillimeve në Ukrainë sot ka nevojë për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për të mos kompromentuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Osmani: Kemi nevojë për zgjidhje të shpejta për sigurinë e furnizimit me energji

"Ky vit na gjen në një situatë ndryshe në kontinentin tonë, si pasojë e luftës në Ukrainë, kontinenti ynë e jo vetëm po përballet me pikëpyetje të shumta. Në një situatë ku kemi nevojë për zgjidhje të shpejta për të mos kompromentuar sigurinë e furnizimit me energji, përballemi paralelisht edhe me obligimin për t’u siguruar që zgjidhjet tona të sotme nuk i rrezikojnë ambiciet tona për dekarbonizim në të ardhmen. E vetmja mënyrë se si mund t’ia dalim me sukses është përmes bashkëpunimit, bashkërendimit dhe komunikimit të rregullt e të koordinuar", tha ajo.

E para e vendit theksoi se Kosova ka më shumë nevojë për energji të gjelbër dhe se ka nevojë për investime në eficiencë të energjisë dhe ruajtjen e mjedisit.

Osmani: Kosova ka më shumë nevojë për energji të gjelbër

"Gjërat do të jenë shumë ndryshe në dhjetë vjetët e ardhshëm. Do të ketë teknologji të reja, skenarë të rinj e koncepte inovative të zhvillimit. Ne e kemi për obligim që të sigurohemi që shoqëria jonë është e gatshme të përqafojë këtë dinamikë të hovshme të zhvillimit...Unë vërtet besoj në Agjendën e Gjelbër dhe të ardhmen e gjelbër. Jam e bindur që kjo do të bëhet gjithnjë e më shumë realitet nga dita në dite... Kosova jonë ka më shumë nevojë për energji të gjelbër, investim në eficiencë të energjisë, trajtim të qëndrueshëm të mbeturinave e zvogëlim të sasisë së prodhimit të tyre, mjedis të mbrojtur, qytete të jetueshme, por mbi të gjitha Kosova ka nevojë për ajër të pastër", tha ajo.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij theksoi se krizat e ndryshme sikurse pandemia dhe lufta në Ukrainë nuk duhet të jenë pengesë për të avancuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër.

Kurti: Qeveria ka prioritet zbatimin e Agjendës së Gjelbër

"Pandemia COVID-19 e tani edhe lufta në Ukrainë e kanë vërtetuar se sa i cenueshëm është sistemi global i ushqimit. Prandaj kjo kërkon përgatitje dhe veprime urgjente që të parandalojmë një krizë të radhës. Megjithatë, këto kriza nuk duhet assesi të na pengojnë për të avancuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ne në Qeveri e kemi prioritet zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, sepse vetëm kësisoj arrijmë zhvillim ekonomik, rrisim sigurinë ushqimore dhe qëndrueshmërinë mjedisore”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Qeveria ka përcaktuar pesë shtylla të ndryshme për përshpejtimin e Agjendës së Gjelbër.

Kurti: Siguria ushqimore, sfida e radhës me të cilën do të ballafaqohemi

"Muajin e kaluar Qeveria e ka iniciuar kartën për Komunën e Gjelbër dhe të qëndrueshëm. Ne synojmë të bashkërendojmë politikat, projektet dhe intervenimet në nivel lokal dhe qendror. Do të mbështesim projektet përmes të cilave i bëmë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor, përmirësojmë cilësinë e jetës të qytetareve, ndikojmë në përmirësimin e performancës ekonomike dhe nxisin inovacionet që krijojnë sektor të ri biznesi e vende të reja pune. Siguria ushqimore është sfida e radhës me të cilën do të ballafaqohemi muajt në vijim dhe për këtë kemi intensifikuar punën në ndryshim-plotësimin e legjislacionit i cili rregullon çështje që ndërlidhen me sigurinë ushqimore. Kemi shumëfishuar subvencionet në bujqësi në mënyrë që të mbulojmë nevojat tona elementare me produktet bazike ushqimore dhe gradualisht të dalim nga cikli i varësisë së importit nga këto produkte”, tha Kurti.

Ndërsa, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, ka thënë se sektori i energjisë është përballur me sfida, andaj do të sigurohen që kapacitetet ekzistuese të jenë më të sigurta.

Rizvanolli: Kapacitetet tona ekzistuese të jenë më të sigurta

“Strategjia e energjisë për herë të parë vendos objektiva ambicioze drejt derkabonizimit të sektorit, vendos targetin ambicioz të eficiencës së energjisë, mbulimin e 35% të konsumit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme të energjisë si dhe reduktimin e emetimit të gazrave serë për së paku 32% krahasuar me 2019. Kosova synon një tranzicion te madh nga thëngjilli te burimet e energjisë së ripërtrishme, por kriza që kaluam vitin e kaluar na e përkujtoi në mënyrë se në çfarë gjendje e kemi sistemin sot, andaj do të sigurohemi gjithashtu që kapacitetet tona ekzistuese të jenë më të sigurta”, tha Rizvanolli.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se Kosova ka shënuar përparim me investime të shtuara në burime të ripërtërishme dhe eficiencë.

Szunyog: Ta përgatisim ekonominë për të ardhmen

"Këtë vit fatkeqësisht Evropa është dashur që të ballafaqohet me një tronditje tjetër. Agresioni rus me luftën në Ukrainë ka ndryshuar skenën gjeopolitike dhe ekonomike dhe ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore. Për ta zbutur këtë gjendje të vështirë, qeveritë ofrojnë zgjidhjet efektive me politika, por gjithashtu duhet të mbajnë hapin që të përgatisin ekonominë për të ardhmen, për të bërë një tranzicion më të qëndrueshëm dhe më të gjelbër”, tha Szunyog.

Ndryshe, aktiviteti është mbajtur në Parkun e Inovacionit dhe Teknologjisë në Prizren.

KSDW 2022, i cili do të mbahet deri më 10 qershor, organizohet në partneritet mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, GIZ, Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat