E fundit: Aktakuza e re ndaj krerëve të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”

Aktuale

E fundit: Aktakuza e re ndaj krerëve të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 11:26
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Me detaje të reja javë më parë u plotësua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria e Speciales shtoi akuza të reja për krime të luftës, të cilat pretendohet se janë kryer në Budakovë e Semetisht të Suharekës, si dhe në konviktin e Gjilanit.

Pas ankesave nga avokati i Hashim Thaçit, Prokuroria e Speciales që drejtohet nga Jack Smith nëpërmjet një parashtrimi, ka treguar për rolin që e kanë pasur katër ish-krerët e UÇK-së, në këto krime të pretenduara.

Sipas Prokurorisë, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, edhe në këtë shtesë të aktakuzës, përfshihen si pjesëtarë të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”.

“Aktakuza në mënyrë adekaute e prezanton rolin e të akuzuarit në krimet. Kur lexohen amendamentet së bashku me pjesën tjetër të aktakuzës, është e qartë se të akuzuarit dyshohet se janë përgjegjës për krime, ndër të tjera, në Budakovë, Semetisht e Gjilan: përmes pjesëmarrjes së tyre në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, si ndihmës dhe përkrahës, ose si eprorë, për krimet e kryra nga vartësit e tyre, siç është konstatuar nga gjyqtari i procedurës paraprake”, thuhet në një pjesë të parashtrimit të Prokurorisë së Speciales.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, kishte kritikuar plotësimin e kësaj aktakuze duke u mbështetur në disa pika. Njëra prej tyre, ishte se autorët e krimeve të pretenduara, nuk kanë qenë të identifikuar mjaftueshëm.

“Autorët janë identifikuar sipas kategorisë ose grupit si pjesëtarë të UÇK-së të lidhu me bazat, selitë, ngjarjet e caktuara, në Budakovë e Semetishtë, të referuara gjithashtu nga brigade të UÇK-së dhe zonat operative. Mbrojtja injoron referencën për vendndodhjen përkatëse të aktakuzës. Aktakuza identifikon mjaftueshëm autorët. Prandaj, duke pasur parasysh informacionin e detajuar se krimet dhe mënyra e përgjegjësië nuk varen nga identitetet specifike të autorëve individual dhe natyrën e shkallën e krimeve të aktakuzës, detaje shtesë me autorët nuk duhet të deklarohen”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Prokuroria që drejtohet nga Jack Smith, është përgjigjur edhe në lidhje me identifikimin e viktimave.

“Viktimat janë identifikuar sipas kategorive dhe grupeve në lidhje me vendndodhjen e paraburgimit, periudhën kohore etj. Disa viktima identifikohen gjithashtu me emra, përkatësi etnike dhe përkatësi politike. Duke marrë parasysh informacionin e detajuar dhe shkallën e krimeve të cilat pretendohet se janë kryer kundër një grup, viktimat nuk kanë nevojë të deklarohen dhe përbëjnë çështje provash për gjykim. Vendet e krimit në Budakovë e Semetishtë janë të identifikuara sipas fshatit, komunës dhe lidhjes së tyre me pjesëtarët e UÇK-së duke përfshirë ata të Zonës së Pashtrikut”, thuhet në parashtrim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, është zotuar se avokatët mbrojtës do t’i marrin të gjitha materialet që ndërlidhen me aktakuzën e plotësuar në kohë reale. Megjithatë, për një gjë të tillë, ekipet mbrojtëse kanë pasur kritika në vazhdimësi, duke e akuzuar Prokurorinë se qëllimshëm po e vonon procesin.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, që nga nëntori i vitit 2020 po mbahen në paraburgim, dhe gjykimi ende nuk ka nisur.

Një afat optimal se kur mund të fillojë zyrtarisht procesi gjyqësor, është përmendur fillimi i vitit 2023, por nëj gjë e tillë varet nga mënyra se si do të shkëmbehen materialet ndërmjet mbrojtjes dhe prokurorisë, për çka deri më tash nuk ka shkruar në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” së fundmi sërish iu është refuzuar lirimi nga paraburgimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat