Kamberi: Duhet të kemi konsultime nëse do të marrim pjesë në rivotimin në Tërnoc

Aktuale

Kamberi: Duhet të kemi konsultime nëse do të marrim pjesë në rivotimin në Tërnoc

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 21:00
Shaip Kamberi

Kandidati për deputet nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi nuk e ka përjashtuar mundësinë e bojkotimit të rivotimit në Tërnoc të Bujanocit.

Kamberi në një lidhje direkte në Tëvë1 tha se nga nesër duhet të mblidhen si koalicion për të vendosur nëse do të marrin pjesë në rivotimin e datës 23 qershor në kuadër të zgjedhjeve Parlamentare në Serbi.

“Prej ditës së nesërme në kuadër të koalicionit duhet të kemi konsultime për vendimin definitiv se a do të marrim pjesë në këto zgjedhje apo jo. Pra neve na pret një periudhë e shkurtër e konsultimeve ndërpartiake. Natyrisht edhe mobilizimi i radhëve tona për të parë dhe për të marrë një vendim definitiv për pjesëmarrje në zgjedhje”, tha Kamberi.

Ai më tej tha se nuk ka pritur që ankesa e tyre do të aprovohej nga Gjykata Administrative, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se shumë shpejt do të formohet qeveria e re.

“Nuk kemi pritur që të jetë pozitiv duke pasur parasysh që paralajmërimet e presidentit Vuçiq që së shpejti do të bëhet Qeveria, që do të thotë se ai ka prejudikuar vendimin e gjyqësorit”, tha Kamberi.

Më tej, ai tha se në tri raundet e kaluara në Tërnoc të Bujanocit, udhëheqësi i Komisionit Zgjedhor aty ka qenë nga radhët e partisë së Vuçiqit dhe ai është përgjegjës për parregullsitë në ato tri raunde.

“Në tri herët e kaluara kryetar i komisionit ishte nga radhët Partisë Përparimtare të Vuçiqit, prandaj përgjegjësia kryesore për cenimin e procesit të zgjedhjeve është te ata.. Ndërsa këtë herë në vendimin e Gjykatës Administrative në arsyetimin 12 faqesh theksohet fakti që na janë marrë 8 vota të zgjedhësve që kanë votuar nëpër shtëpitë e veta, të cilat nuk ishin numëruar”, shtoi ai duke thënë se caktimi i të njëjtit person në krye të procesit zgjedhor është i paarsyeshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat