Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për Energjinë

Aktuale

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për Energjinë

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 10:58 Përditësuar në ora: 12:06 më 21.06.2022
Besnik Bislimi, Petar Petkoviq dhe Miroslav Lajçak

Çfarë thotë Udhërrëfyesi i Zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë?

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur të dakordohen për udhërrëfyesin e zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë që është firmosur më 2013 e të konfirmuar edhe në vitin 2015.

Por çfarë thotë ky udhërrëfyes, ju sjellim të plotë më poshtë:

Udhërrëfyesi i Zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë

Me qëllim të tejkalimit të krizës dhe problemeve në sektorin e energjisë, duke marrë parasysh Marrëveshjet në lidhje me Energjinë e datës 8 shtator 2013 ("Marrëveshja e Energjisë 2013"), dhe Konkluzionet e lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë 2013 të 25 gushtit 2015 ("Marrëveshja e Energjisë 2015"), palët kanë rënë dakord për Udhërrëfyesin e mëposhtëm:

1. ZRRE do t'i lëshojë licencën për furnizim Elektrosever. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

2. Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t'i ofrojë KEDS-it dhe KOSIT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.

3. Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSIT dhe KEDS për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSIT, Marrëveshjen mbi Detyrimin e Bilancit me KOSIT, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013.

4. Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSIT, Elektrosever do të marrë Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parapara me licencën e furnizimit.

5. Në përputhje me nenin. 14 të Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2015, brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS dhe KOSIT (nën lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në nënstacionin ValacNallaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe shpërndarjes.

6. Brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSIT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektrosever, do të dorëzojnë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

7. Brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit dhe shpenzimeve të kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE do të aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje.

8. Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, me kusht që me lehtësimin nga BE-së, të konsultohet paraprakisht me palët gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një mendim ekspert, nëse një gjë e tillë kërkohet nga të paktën njëra nga palët.

9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015.

Bislimi deklarohet pas arritjes së marrëveshjes për energjinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator për dialogun me Serbinë është deklaruar pas arritjes së marrëveshjes për energjinë në veri me Serbinë.

Në një postim në Twiter, ai ka thënë se e njëjta mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës.

“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e Implementimit për Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.

Kjo është marrëveshja e dytë me Serbinë nën qeverinë Kurti, pas marrëveshjes së përkohshme për targat e veturave.

Pritet që Kosova dhe Serbia të pajtohen edhe rreth përgatitjeve për takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit

Në Bruksel të martën është arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Këtë e ka konfirmuar në një postim në Twitter i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Gjatë takimeve të sotme u arrit pajtueshmëri edhe për zbatimin e marrëveshjes për energji, ndërsa pritet që palët të dakordohen edhe rreth përgatitjeve për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Fillimisht, të martën, janë zhvilluar takime bilaterale të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak, me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë Lajçaku ka pasur edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Për një vit nuk ka pasur takime në nivel të tillë.

Marrëveshja për energji ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015.

Burimet e BE-së kanë thënë se do të diskutohet edhe për çështjen e të pagjeturve. Një deklaratë e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje është gati, por ka mbetur që të saktësohen disa terme që përmenden në të, në mënyrë që ajo edhe të nënshkruhet.

Takimet e sotme në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Po ashtu raportet mes këtij rajoni dhe BE-së, si dhe procesi i zgjerimit, do të jenë tema edhe të Këshillit Evropian që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Pikërisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë shihet si një prej sfidave më të mëdha për rolin e Bashkimit Evropian në rajon.

Deri më tash në BE nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatet e dialogut dhe tash kërkojnë që sa më parë të ketë progres konkret që do të çonte deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë përparim në realizimin e aspiratave evropiane.

Arritja e marrëveshjeve gjatë ditës së sotme ndihmon në krijimin e rrethanave për takim në nivel të lartë dhe për avancim të dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, thonë diplomatët në BE.

Mungesa e gatishmërisë nga ana e palëve për marrëveshje deri më tash është përmendur nga BE-ja si arsye pse nuk është thirrur ndonjë takim i ri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me përjashtim të një takimi të tyre në Berlin Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut nuk janë takuar tash e një vit.

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për Energjinë

Emsiari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se Kosova dhe Serbia janëpajtuar për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat