Besnik Tahiri-Albin Kurtit: Kryeministër qetësohu e mos e tensiono Kuvendin

Aktuale

Besnik Tahiri-Albin Kurtit: Kryeministër qetësohu e mos e tensiono Kuvendin

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 13:18
Besnik Tahiri

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është hipokrizi ta dëgjosh nga kryeministri Kurti se me tërheqjen e 30% të Trustit, shkatërrohet skema pensionale e vendit.

Sipas Tahirit, nëse kjo do të ishte e vërtetë, fondi pensional do shkatërrohej edhe me tërheqjen e 10% të Trustit që pati ndodhur në qeverisjen e kaluar.

Tutje Tahiri u shpreh se kryeministri Kurti ‘nervozizmin që e ka nga performanca e dobët qeverisëse po e shpërfaq në seancë’.

“Kryeministri po na tregon edhe se si duhet e çka duhet të flas një deputet. Unë deri tani nuk dëgjova asnjë fakt nga kryeministri pse nuk duhet të ndodh tërheqja e Trustit. Ju jeni mjeshtër i mashtrimit të opinionit publik, kryeministër. A mund të na tregoni pse nuk u rrënua fondi pensional kur u tërhoqën 10%?”, iu drejtua Tahiri, kryeministrit.

“Ju nuk e keni marrë asnjë veprim që prek direkt mirëqenien e qytetarëve. Flisni për rritje enorme ekonomike, por kjo rritje nuk shihet ne terren. A mund të na tregoni ku po e sheh atë rritje ekonomike. Kërkesa për tërheqje vjen për shkak të pazotësisë suaj për zgjidhjen e problemeve, për të cilat juve ju takon si kryeministër”, u shpreh Tahiri tutje. “Të thuash se me tërheqjen e 30% të Trustit, rrënohet skema e fondit pensional është hipokrizi. Gjendja sot është tepër e keqe. Nuk ka logjikë me udhëheqë Qeverinë e mos me ofruar asnjë zgjidhje konkrete”, përfundoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat