Samiti i BE në Bruksel/ Eurodeputetja gjermane: Sinjal katastrofik për Ballkanin Perëndimor, vetëm Vladimir Putin doli i kënaqur

Aktuale

Samiti i BE në Bruksel/ Eurodeputetja gjermane: Sinjal katastrofik për Ballkanin Perëndimor, vetëm Vladimir Putin doli i kënaqur

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 18:47
Viola Von Cramon-Taubadel

Eurodeputetja gjermane Viola Von Cramon-Taubadel ka folur pas samitit të datave 23 dhe 24 qershor që u mbajt në Bruksel në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Europian.

Në një intervistë për Euractiv ajo shprehet se bisedimet me Ballkanin Perëndimor ishin një dështim dhe rezultati i tyre mund të bëjë të lumtur vetëm presidentin rus Vladimir Putin.

Cili është mendimi juaj nga ky samit “gjeopolitik”?

Më lejoni ta them kështu: Vendimi për Moldavinë dhe Ukrainën ishte i pritshëm. Nuk kushton asgjë për t’u dhënë atyre një status kandidat në një situatë gjeopolitikisht shumë të tensionuar. Ata mund të jenë me këtë status kandidat në dhomën e pritjes, siç e kemi parë me Turqinë dhe Ballkanin Perëndimor, përgjithmonë. Statusi kandidat është më e pakta që mund të bëjnë liderët e BE-së, pa pasur asnjë detyrim financiar. Sigurisht, është mirë të kemi unitetin e BE-së dhe për ukrainasit, ndërkohë që ata po përballen me agresionin rus.

Në Gjeorgji, vendi ka një problem. Në të kaluarën, ajo ishte gjithmonë e para, kur bëhej fjalë për reformat, anti-korrupsionin, modernizimin e shoqërisë. Por tani ata kanë shkuar plotësisht në drejtimin e gabuar. Dhe në vend që të mbyllin hendekun, ata e kanë hapur, duke e bërë të vështirë për Këshillin Evropian t’u japë atyre të njëjtin status si Moldavisë.

Le të hedhim një vështrim tani në Ballkanin Perëndimor. Çfarë arriti ky samit?

Ky samit për Ballkanin Perëndimor ishte një dështim i plotë. Më duhet të pranoj se jam tmerrësisht e zhgënjyer dhe kur Komisioni e quante veten një komision gjeopolitik, kjo është një shaka. Shikoni: I lanë të udhëtojnë në Bruksel, të gjashtë, dhe nuk u kanë dhënë asgjë. As Bosnja nuk ka marrë statusin e kandidatit, më keq akoma, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën asnjë miratim dhe Kosova nuk mori liberalizimin e vizave, një çështje që po zvarritet prej katër vitesh.

Ky është vërtet një sinjal katastrofik. Ka vetëm një person të lumtur nga kjo situatë, dhe ai ulet në krye të Kremlinit.

Nga ky samit na mungonte mesazhi i qartë se Serbia duhet të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet kundër Rusisë. Pse ndodhi kjo?

Ndoshta, dhe e kam dëgjuar gjithashtu nga shoqëria civile në Beograd kohët e fundit, ata nuk duan t’i shkëmbejnë sanksionet me parimet demokratike. Ata kishin shumë frikë se nëse i shtyni shumë fort për të vendosur sanksionet, duhet të hiqnin dorë nga parimet demokratike – liria e medias, pluralizmi partiak e kështu me radhë. Kështu që nuk jam shumë e befasuar. Argumenti i vërtetë duhet të jetë: Nëse nuk përputheni me politikën e jashtme, atëherë ne do të pezullojmë fondet. Por nuk kam dëgjuar askënd ta thotë këtë.

Idetë rajonale si ‘Ballkani i Hapur’ i udhëhequr nga Beogradi janë të mira apo të këqija?

Kjo është një iniciativë që nuk bazohet në parime, nuk bazohet në standarde dhe kritere, dhe nëse ecim përpara me këtë, në fakt do të minonim procesin e anëtarësimit në BE të bazuar në merita. Kështu që nuk do ta mbështesja.

Po ideja e Macron për një komunitet politik?

Nëse vërtet dëshironi të krijoni diçka për një Evropë më të gjerë, kjo është mirë, por kam dëgjuar se mirëkuptimi për këtë format të ri mund të jetë si një dhomë pritjeje e përhershme për të gjitha ato vende. Kjo ngre shqetësime serioze. Më e pakta që mund të them është se koncepti ka nevojë për një ripërcaktim më të qartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat