Qeveria vendos masën e reciprocitetit për targat dhe dokumentet, Kurti jep detaje/ Acarohet Serbia

Aktuale

Qeveria vendos masën e reciprocitetit për targat dhe dokumentet, Kurti jep detaje/ Acarohet Serbia

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 17:34 Përditësuar në ora: 20:37 më 29.06.2022
Qeveria Kurti

Vendimet për targat dhe reciprocitetin, Petkoviq: Kurti ka kërcënuar me luftë serbët në Kosovë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve dhe reciprocitetin me letërnjoftimet për qytetarët serbë që do të hyjnë në Kosovë e ka nervozuar shumë drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Petkoviq shkon aq larg në deklaratën e tij, duke thënë se Qeveria e Kosovës me vendimet e reja për targat dhe letërnjoftimet, “Albin Kurti hapur ka kërcënuar me luftë serbët në Kosovë”.

“Vendimi i institucioneve në Prishtinë për ndalimin e letërnjoftimeve serbe dhe pas datës 30 shtator heqjen e vlefshmërisë së targave me emrat e qyteteve ‘KM’, ‘GL’, ‘PR’, ‘UR e të tjera, me njoftim se pas këtij afati këto automjete do të konfiskohen, është një goditje e drejtpërdrejtë për të gjithë serbët në jug dhe veçanërisht në veri të Ibrit”, tha Petkoviq në një komunikatë.

“Është e papranueshme që ndaj një kërcënimi dhe njollosje të tillë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të heshtin dhe të pretendojnë se janë të ngathët, derisa Albin Kurti po përgatit fillimin e një konflikti të madh dhe sulmin ndaj serbëve në fund të shtatorit”.

“Me heshtjen e tyre, ata bëhen bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë të destabilizimit të ri të situatës në terren, në regjinë e Albin Kurtit, të shkaktuar nga vendimi i ri i njëanshëm i pushtetit në Prishtinë”, ka deklaruar Petkoviq.

“Serbët nga Kosova dhe Metohia nuk do të lejojnë që të persekutohen, të vriten dhe t’u konfiskohet prona e tyre e fituar në mënyrë legjitime dhe këtë duhet ta dinë të gjithë në Prishtinë dhe në Bruksel”, tha Petkoviq.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sipas komunikatës  me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

Qeveria në mbledhjen e sotme gjithashtu ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj Serbisë për letërnjoftim.

Sipas vendimit, qytetarët serb që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Kurti: Rregulluam kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dha detaje më të hollësishme lidhur me vendimin që u mor në mbledhjen e Qeverisë, për rregullimin e kalimit të kufirit shtetëror me dokumente të Serbisë.

Kryeministri ka shkruar në Facebook, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

“Me vendim të qeverisë sot rregulluam kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë. Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror.

Ky mekanizëm sipas kryeministrit do të vlejë deri me 31 tetor 2022.

“Ndërkaq përmes një vendimi tjetër në mbledhjen e sotme mundësuam regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. Regjistrimi do të fillojë më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 shtator 2022. Ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë”, përfundoi kryeministri.

Image
Image

 

---------------------------------

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilë​n ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria Kurti në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më 21 prill 2022, t’iu mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

ZKM njoftoi se sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë më 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022.

“Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, u tha se miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

“Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore. Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022”.

“Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon kumtesa e ZKM-së, dërguar mediave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat