Presidentja Osmani uron Laurën e Akilin: Ky është imazhi i Kosovës në botë

Aktuale

Presidentja Osmani uron Laurën e Akilin: Ky është imazhi i Kosovës në botë

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 20:17
Vjosa Osmani

Kosovës sot iu shtuan edhe dy medalje të reja nga garat në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.

Xhudistja, Laura Fazliu, arriti ta fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 63 kilogramë, kurse xhudisti, Akil Gjakova fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Fazliu e mposhti në finale xhudisten spanjolle Cristina Cabana Perez, kështu duke ia siguruar Kosovës medaljen e dytë të artë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, kurse Akil Gjakova ishte në garë për medaljen e bronztë, ku edhe e fitoi atë kundër xhudistit italian, Manuel Lombardo.

Me të arritur këto suksese të mëdha, tani ka reaguar edhe presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani, e cila përmes një postimi në “Facebook” tregoi se ky sukses është imazhi i Kosovës.

“Ky është imazhi Kosovës në botë.

Sot, si çdo ditë tjetër, çikat e djemtë tanë po ia zbardhin fytyrën vendit dhe po shkruajnë historinë e re të Kosovës. Edhe një e artë iu shtua xhudos. Atë e fitoi Laura Fazliu, çika e artë e Kosovës. Të lumtë, Laura!

Ndërsa, Akili ynë, si çdoherë tjetër na bëri rishtas krenarë, duke e fituar medaljen e bronztë, kësaj radhe. Faleminderit, Akil!”, shkroi Osmani në “Facebook”.

Me dy medaljet e fituara sot, Kosova deri tani numëron plot pesë medalje të fituara në edicionin e 19-të të Lojërave Mesdhetare, që po mbahen në Oran të Algjerisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat