Presidentja Osmani në Slloveni/ Flet për dialogun me Serbinë, përmend edhe liberalizimin e vizave

Aktuale

Presidentja Osmani në Slloveni/ Flet për dialogun me Serbinë, përmend edhe liberalizimin e vizave

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 09:19 Përditësuar në ora: 12:41 më 04.07.2022
Foto nga takimi

Sllovenia mbështet Kosovën për liberalizimin e vizave

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën nga homologu i saj slloven, Borut Pahor.

Në konferencën e përbashkët për medie, Osmani ka thënë se është e papranueshme që çështje e liberalizimit të vizave të hapet sërish.

“Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish. Ne kemi përmbushur kriteret para katër viteve. Parlamenti Evropian (PE) ka votuar dy herë për neve tani i mbetet shteteve anëtare. e presim të arrihet në muajt në vijim”, ka thënë Osmani.

Më tutje, Osmani ka falënderuar shtetin e Sllovenisë për mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha etapat, përfshirë këtu edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Osmani për dialogun në Bruksel: Mund të ketë takim në mes Kurtit dhe Vuçiqit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpreson se liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë nën presidencën çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në Slloveni, ku po qëndron për vizitë zyrtare, Osmani tha se Kosova ka plotësuar gjitha kushtet dhe se nuk ka asnjë arsye për kritere të reja.

Në konferencën e përbashkët për medie, me presidentin slloven, Borut Pahor, Osmani, tha se Kosova është treguar konstruktive në dialog me Serbinë, derisa bëri të ditur se gjatë këtij muaji mund të ketë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Nga ana tjetër, presidenti Pahor, inkurajoi që procesi i dialogut të vazhdojë dhe dy palët të angazhohen për arritjen e një zgjidhje.

Pahor po ashtu shprehu mbështetjen ndaj rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

​Osmani pritet me nderime të larta shtetërore në Slloveni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga homologu i saj slloven, Borut Pahor.

Pas takimit dy palësh, Osmani dhe Pahor do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Presidentja Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në Slloveni do të takohet edhe me udhëheqës të Parlamentit të Sllovenisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë.

Ndërkohë, forcave të Armatosura të Sllovenisë, Osmani do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës, në të cilin përgjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë sllovenë. 

Vjosa Osmani sot pritet të takohet me presidentin slloven

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, dje ka udhëtuar për vizitë zyrtare në këtë shtet.

Në njoftimin e Presidencës thuhet së “kjo vizitë do t`i rikonfimoj marrëdhëniet e shkëlqyeshme me Slloveninë, teksa me homologun Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, presidentja Osmani do t`i diskutojë mundësitë e thellimit të b]ashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore”.

Gjatë kësaj vizite, Osmani do të zhvillojë takime edhe me udhëheqës të Parlamentit të Sllovenisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Kurse Forcave të Armatosura të Sllovenisë, Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në këtë shtet do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës, në të cilin përgjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë slloven. Në agjendën e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Slloveni do të jetë edhe takimi me mërgatën e Kosovës në Slloveni, ligjërata e organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum si dhe pjesëmarrja në shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Arte dhe Komunitet- Artpolis, e cila do të jepet në Teatrin e Nova Goricës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin nga Presidenca.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat