Molliqaj: E kemi shtyrë protestën ndaj Muratit, zor t’i zihet besë se ka ndryshuar

Aktuale

Molliqaj: E kemi shtyrë protestën ndaj Muratit, zor t’i zihet besë se ka ndryshuar

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 15:45
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë të ditur se e kanë shtyrë protestën kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, rreth deklaratave të tij të dhëna para disa viteve rreth UÇK-së.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “Murati është ai vjetri”, dhe se sipas tij, ai nuk është penduar për deklaratat e dhëna edhe pse ka kërkuar falje.

“Me çka matet një pendesë nëse jo me veprime politike? Me çka matet vërtetësia e fjalës së thënë përpos me materializim të saj? Cila është konsekuenca politike e një pozicioni rrënues ndaj bindjeve tona si shoqëri, për liri e çlirim? Çfarë mbetet nga kërkimfalja, kur asaj i kalkulohet motivi? Cili na qenka morali i saj?”

“Që ministri Murati ka ndërruar, zor t’i zihet besë. Ajo logjikë nxjerr krye tek vonesa në reagim. E përllogaritur sikur tek statusi për koston financiare të lirisë. Pendesa duket ndryshe dhe pasohet nga veprime konkrete. Test provues më i afërt në kohë do të jetë ligji për pagën minimale”,ka shkruar Molliqaj.

Molliqaj ka theksuar se do të vazhdojnë me aktivitete kundër Qeverisë Kurti.

“Në ndërkohë, Partia Socialdemokrate do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj. Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë”.

“Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat