​Konjufca: 4 Korriku është datë e rëndësishme edhe për Kosovën

Aktuale

​Konjufca: 4 Korriku është datë e rëndësishme edhe për Kosovën

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 15:46
Glauk Konjufca

Për të shënuar 246 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryetari i Grupit të Miqësisë Kosovë – SHBA, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputeti Dimal Basha, organizoi një seancë joformale me nxënës dhe studentë nga qyteti i Ferizajt.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ish kongresmeni amerikan Jerry Weller, si dhe Jessica Gumucio, nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, deputeti Dimal Basha tha se qytetarët e Kosovës janë gjithmonë borxhlinj ndaj ndihmës që Shtetet e Bashkuara kanë ofruar për të arritur deri te pavarësia.

Më pas, fjalën e mori kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili theksoi se 4 Korriku është ditë shumë e rëndësishme për gjithë botën, ashtu edhe për Kosovën.

Kreu i Kuvendit tha se SHBA-ja gjatë historisë gjithmonë e ka ndihmuar popullin tonë në aspiratat e tij për liri dhe pavarësi.

“Rrallë ndonjëherë në historinë e botës, liria dhe pavarësia e një populli ndodh të jetë kaq e rëndësishme edhe për popujt e tjerë. Ish-presidenti Wilson ka ndihmuar në pavarësinë e Shqipërisë dhe gjithashtu 80 vite më vonë SHBA-ja ka ndihmuar në pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryetari Konjufca.

Për të ndarë eksperiencën e saj si qytetare e SHBA-së, Jessica Gumucio nga Ambasada Amerikane, shpalosi para nxënësve dhe studentëve historikun e pavarësisë së SHBA-së. Ajo tregoi sfidat që ka pasur Amerika deri tek arritja e pavarësisë, duke përmendur demokracinë si formën më të mirë të qeverisjes.

Ndërsa ish kongresmeni Jerry Weller, tha se historia amerikane dëshmon se pavarësia e një populli do të thotë pavarësi për shumë shtete të tjera. Ai përmendi edhe luftën e fundit në Kosovë, duke treguar miqësinë e palëkundur që populli amerikan ka me popullin dhe shtetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat