​Gucati nuk merr pjesë në konferencën para Apelit

Aktuale

​Gucati nuk merr pjesë në konferencën para Apelit

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Sot është mbajtur Konferenca para Apelit, në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Në këtë seancë në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm i akuzuari, Hysni Gucati. 

Mosprezencën e tij e konfirmoi edhe kryesuesja e Panelit të Apelit, e cila tha se qëllimi i kësaj konference para apelit ishte që t’u jepet mundësi të akuzuarve të ngrehin çështjet lidhur me ndalimin e tyre, përfshirë edhe gjendjen e tyre mendore dhe fizike. 

Gjyqtarja : Gucati ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm në seancë

“Vërej që zotëri Gucati ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm në seancë...Qëllimi i kësaj konference përpara Apelit është që t’u jepet mundësi të akuzuarve të ngrehin çështjet lidhur me ndalimin e tyre, përfshirë edhe gjendjen e tyre mendore dhe fizike”, theksoi ajo. 

Avokati i të akuzuarit Hysni Gucati, Jonathan Elystan Rees kërkoi të përditësoi të dhënat për shëndetin e klientit të tij, Hysni Gucantit në seancë private. 

Rees: Ta bëjmë përditësimin për shëndetin e Gucatit 

“Kemi parashtruar një përgjigje lidhur me kërkesën e Prokurorisë sa i takon mbajtjen për paraburgim nuk ka për të shtuar për këtë gjë. E vetmja gjë tjetër që duam që të zgjidhet në seancën e sotme është një përditësim që ka të bëjë me shëndetin e Gucati. Zotëri Gucati ne e kuptojmë dhe mbase do të na duhet të kalojmë në seancë private”, tha ai. 

Rees tha se kanë parashtruar një përgjigje lidhur me kërkesën e prokurorisë sa i takon mbajtjes në paraburgim.

Rees: Iu drejtuam nenit 46/8 për lirim dhe iu referuam kësaj të drejte tonë

“Vumë re që neni 46/8 i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar parasheh që nëse në parashtrim të rasteve kur Gjykata e Apelit urdhëron ndryshe personi i dënuar mbetet në ndalim në pritje të vendimit të apelit dhe derisa nuk është marr një vendim nga Gjykata e Apelit, pikëpamja jonë ishte që kërkesa e Prokurorisë nuk ishte as e nevojshme dhe as nuk kërkon ndonjë përjashtim dhe si rezultat ne nuk dhamë ndonjë përgjigje materiale lidhur me këtë. Ajo çka bënë neve është se iu drejtuam nenit 46/8 për lirim dhe iu referuam kësaj të drejte tonë të parashikuar në nenin 46/8”, theksoi ai.

Gjatë kësaj seanca u fol edhe rreth përkthimeve të aktgjykimit, ku u bë e ditur se versioni final do të jetë gati më 15 gusht. 

Përfaqësuesi i zyrës administrative: Më 15 gusht është i gatshëm versioni përfundimtar i aktgjykimit të rishikuar 

“Përkthimi është realizuar në tri faza së pari përkthimi i parashikuar pa port shënimet do të përfundoj më 20 qershor, pastaj më datën 4 korrik do të jepet versioni i përkthyer së bashku me poshtë shënime por i pa rishikuar, ndërkohë që me 15 gusht do të jepet versioni përfundimtar i aktgjykimi i rishikuar. Dy afatet janë respektuar”, u shpreh ai. 

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë prej 100 eurosh. Ata ngarkohen me veprën penale për pengim të administrimit të drejtësisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat