Vrasja e pandriçuar e kapitenit Adem Ukëhaxhaj / Ramush Haradinaj na përshëndeste me grushtin komunist

Aktuale

Vrasja e pandriçuar e kapitenit Adem Ukëhaxhaj / Ramush Haradinaj na përshëndeste me grushtin komunist

Nga: Idriz Morina Më: 17 korrik 2022 Në ora: 10:10
Kapiteni ushtarak Adem Ukëhaxhaj - komandant “Guri”

Një vdekje e dhimbshme, dhe një rrugë e mbetur në gjysmë. Një ushtarak që e donin të gjithë ta kishin në mesin e tyre në luftë, por edhe në paqe, sikur ai të mos ishte oficeri i parë kapiten, i rënë hero në luftë për Kosovën.

Ishte i pari ushtarak, që kishte hyrë në Kosovë nën urdhrat e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqit, siç rrëfejnë dëshmitarët.

Ky ishte Adem Ukëhaxhaj, i cili karrierën ushtarake e kishte nisur në Manastir të Maqedonisë, ku kishte ushtruar detyrën e rreshterit, për të vazhduar më pas shkëlqyeshëm studimet ushtarake, dhe më vonë e arrin gradën e kapitenit.

Shërbimi sekret jugosllav do t’i vihej pas me qëllim që t’ia ndalonte përparimin ushtarak, dhe pa prova do ta nxirrte para drejtësisë, në vitin 1985, të cilat në një proces gjyqësor në Slloveni, rezultuan të padrejta. Në atë proces ai kishte refuzuar që të mbrohej në gjuhën serbe, pavarësisht se shkollimin dhe punën e ushtronte në atë gjuhë, por donte që me çdo kusht pafajësinë ta dëshmonte në gjuhën shqipe.

Por, pas shumë vitesh ishte rasti i dëshmimit të përgatitjes së tij ushtarake.

Lufta në Kosovë kishte filluar. Si ushtarak, ai nuk mund ta anashkalonte organizimin institucional dhe përpjekjet e bashkërendimit profesional të ushtarakëve për luftë.

Image
Pamje nga nderimet për Adem Ukëhaxhajn tek memoriali i dëshmorëve

Shërbyen si celula të Ministrisë grupi i Sali Çekut

Çelësi i bashkërendimit ishte Sali Çekaj, grupi që ai e kishte mbajtur gjallë, që nga stërvitjet në Shqipëri në vitin 1991, disa nga të cilët ishin pjesëmarrës, të tjerë që kishin bashkëpunuar pas hyrjes në Kosovë të një pjese të grupit në dhjetor të vitit 1991, dhe kryerjes së disa aktiviteteve të armatosura që nga atëherë.

Kështu një ditë prilli nga Kosova ai do të udhëtonte drejt Shqipërisë, së bashku me disa nga ata që ishin të përfshirë tashmë në organizim dhe do të ndihmonin ministrin Ahmet Krasniqi, bashkë me Sali Çekun dhe të tjerë në pjesë të organizimit të përmendur.

Saim Tahiraj kishte hyrë në Kosovë me 19 prill, bashkë me Ismet Çekajn, Zenun Idrizin dhe Xajë Çelën nga Shqipëria.

Saim Tahiraj, pas më shumë se 24 viteve i kujton ato çaste delikate të jetës së tij dhe të historisë sonë.

Tahiraj pas qëndrimit disa ditor për mbledhjen dhe organizimin e grupit të Sali Çekut, dhe vullnetarëve për luftë, pasi njihen me Adem Ukëhaxhajn, merren vesh, meqë ishte në listën e ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, të deklaruar që të jenë pjesë e organizimit të luftës dhe e dërgojnë në Tiranë në Ministrinë e Mbrojtjes, që ishte në themelim e sipër, dhe e takojnë me ministrin Ahmet Krasniqin.

“Unë, Adem Ukëhaxhaj, Ismet Çekaj, Xajë Çela, Daut Berisha, Zenun Idrizi, Halil Geci, Hamit Gashi, i plagosur dikur në demonstrata, që ishim në grupin e Sali Çekut, shkuam në Shqipëri dhe qëndruam disa ditë, deri në marrjen e disa detyrave nga Ministri”, thotë ai.

Në këtë udhëtim Ademi, do të qëndronte rreth një javë në Shqipëri para se të kthehej, pasi kishin diskutuar dhe planifikuar me ministrin Ahmet Krasniqi, se çfarë veprime do të duhej të ndërmerrte Ademi, dhe se si do të zhvillohej më tej procesi i organizimit të luftës në Kosovë, armatosja, strukturimi, bashkëpunimi, komunikimi etj.

Tahiraj rrëfen edhe një moment interesant, para udhëtimit të grupit në fjalë për në Shqipëri. Kur Saimi kishte ardhur në Kosovës, ai kishte për detyrë t’i përcillte disa mesazhe në struktura të ndryshme, të organizimit, përveç takimeve me individ të caktuar.

“Me urdhër të Ahmet Krasniqit, me 22 prill shkova bashkë me Ismet Çekajn, para Shtabit të Gllogjanit, për t’ia përcjellur porositë e ministrit Krasniqi, ku na priti edhe Ramush Haradinaj, si udhëheqës i atij grupimi”, thotë Tahiraj.

Tahiraj ishte takuar edhe njëherë me Ademin, para se ky të kthehej në Kosovë.

“Para se Ademi të hynte në Kosovë, meqë gjatë kësaj kohe sa ai qëndronte në Tiranë, unë kisha marrë detyra të tjera organizimi duke udhëtuar për në Zvicër, për të përcjellur porositë, dhe arrita ta takoja në Tropojë. Në ndarje ma kërkoi orën për shkak se tha “më duhet për orientim dhe planifikim të lëvizjes”, thotë Tahiraj.

Sipas Tahirajt, Ademi ishte shumë i përpiktë dhe krejtësisht profesional, në çdo sjellje të tij. “Asgjë nuk donte t’i linte rastësisë”, thotë ai.

“Ramushi më përshëndetke me grusht, e unë me dorë ushtarakisht”

Sipas dëshmisë së Tahirajt, ishin momente që nuk harrohen, kur ai po ua përcillte porosinë atij grupit, që njihej si grupi apo “Shtabi i Gllogjanit”.

“Ramushi e mirëpriti porosinë e ministrit Krasniqi. Dhe thoshte sa më parë, dhe me dorë e rrihte qafën, duke bërë shenjë, se ishte ngopur me ato që po ndodhnin. Thoshte kthehuni sa më parë, të vijnë oficerët se nuk po di çka me ba me këtë punë, nuk di si me i dhanë vi kësaj pune”, thotë Tahiraj.

Por, ky takim zbuloi edhe anën ideologjike të “Shtabit” të Gllogjanit.

“Ramushi më përshëndetke me grusht, e unë me dorë ushtarakisht”, thotë Tahiraj, i cili edhe atëherë ishte në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës, e edhe sot është në mbështetje të LDK-së.

“Më pas jemi kthyer menjëherë në Shqipëri”, thotë Tahiraj, i cili shkon me grupin ku bënte pjesë edhe Adem Ukëhaxhaj.

Image
Ramush Haradinaj gjatë luftës

Edhe ushtari Daut Berishaj, nga Duboviku, fshati i Jusuf Gërvallës, i cili e shoqëroi në të dyja udhëtimet Adem Ukëhaxhajn, flet për ato ditë dhe shpreh mendimin e tij për vdekjen e kapitenit Ukëhaxhaj.

Edhe Daut Berisha e konfirmon se gjatë udhëtimit në Shqipëri, Ademi ka pasur takim me Ahmet Krasniqin, për organizimin institucional të luftës. Pastaj ka pasur takime me Sali Çekun, por edhe me Ismet Çekun si koordinator.

“Atje kemi ndejtë një javë, derisa ka marrë detyrat, dhe nga Tirana jemi kthyer me një kombi të madh armatim, deri në Tropojë të vjetër, Nga ty me krah i bartnim armët, sepse duhej të kishim kujdes, sepse në atë kohë në qeveri ishte Fatos Nano. Më pas armët i bartnim nëpërmjet Valbonës”, thotë Berisha.

“Ademi, Xaja dhe unë jemi nisur për Kosovë, në mënyrë, që pastaj fshatrat të shkonin për ta marrë armatimin duke nisur me dy fshatrat e Strellcit. Në mbrëmje kemi mrri në Voksh, më duket tek Sadri Loka, kemi hongër darkë, kemi rënë poshtë dhe një natë kemi fjet në shtëpi të Ademit, në Carrabregë”, rrëfen Daut Berisha nga Doboviku, ish-bashkëpunëtorë i Ademit dhe luftëtarë.

Ai thotë se gjatë gjithë udhëtimit, e kanë pasur detyrë që ta ruajnë Ademin, ta mbanin në mes, për shkak se ishte me detyra shumë të rëndësishme.

“Të nesërmen kemi ardhur në fshatin tim Dubovik. Në shtëpinë time kemi ngrënë bukë e kemi pushu, mandej kemi shku në Strellc”, thotë Berisha.

Sipas tij, nga aty Ademi ka vazhduar me i organizuar fshatrat me shku me marr armatimin.

“Pas dy Strellceve, kanë vazhduar dy Carrabreget, më pas Isniqi e kështu me radhë. Shkonin atje në Shqipëri, flinin një natë dhe më pas kanë sjellur armët”, thotë ai.

Berisha thotë se nga aty ka vazhduar luftën në njësinë e fshatit, ku është angazhuar në mbrojtje të tij.

“Në fshatin tim më parë nuk ka pasur ushtarë të angazhuar. Pas kthimit tim nga Shqipëria në fshatin tim u bëmë 13-17 veta që kemi qenë aktiv. Më vonë kemi shkuar për luftë në Loxhë, Carrabreg dhe kudo, si në Prilep etj. Më shumë kemi ndejtë nëpër luftë”, thotë ai.

I pyetur se çfarë dinë, beson apo si e kujton sot vdekjen e Adem Ukëhaxhajt, se si ka mundur të ndodhë ajo, ai e konsideron të dyshimtë.

“Vdekja e Adem Ukëhaxhajt është e dyshimtë. Ka qenë një njeri tepër i përgatitur fizikisht dhe ushtarakisht. Për mua është e dyshimtë”, thotë ai.

“Atë ditë kur është vra Ademi, nuk kanë qenë me të disa”, thotë ai.

“Edhe sot, njerëzit e shumtë dhe as unë nuk e besojmë që Ademi ka rënë ashtu lehtë në luftë. Është e dyshimtë”, e përforcon edhe njëherë ai.

Ai po ashtu e konfirmon se Ademi është eprori i parë ushtarak i vrarë në detyrë.

“Ishte oficeri i parë në detyrë që u vra dhe Presidenti Rugova dhe Ministria e Mbrojtjes e ngushëlluan të parët familjen e tij”, thotë Berisha.

Berisha e kishte kujtuar edhe me 2 qershor ditën e vdekjes së Ademit. “24 vite nga rënia heroike e komandantit Adem Ukëhaxhaj. Edhe sot e kësaj dite jam krenar që isha ushtar i yti. Lavdi e përjetshme!”, shkruante Dauti në Fb në përvjetorin e vdekjes së Ukëhaxhajt më 2 qershor të këtij viti.

Komandanti i parë i Ministrisë për zonën e Dukagjinit

Adem Ukëhaxhaj ishte komandanti i parë i emëruar nga ministri Ahmet Krasniqi për zonën e Dukagjinit, i cili bëri organizimin dhe komandimin e luftës deri në rënien e tij në fushën e nderit.

Shoqata “Sali Çekaj” me seli në Zvicër, gjatë Presidencës Jahjaga kishte reaguar ndaj dekorimeve të bëra nga presidentja e Kosovës, e cila kishte dekoruar edhe figura anonime me tituj të lart, por jo Adem Ukëhaxhajn. Pas një peticioni të organizuar nga shoqata “Sali Çekaj”, i cili i qe dorëzuar Presidencës, ajo e shpalli Hero Adem Ukëhaxhajn.

Saim Tahiraj e përshkruan rolin e ushtarakut Adem Ukëhaxhaj, në katër pika:

1. Fillimisht e pati urdhër, organizimin e luftës çlirimtare në Dukagjin. Ai bëri parapërgatitjet dhe përgatitjet ushtarake për dislokimin e njësiteve të rregullta operative e profesionale të Zonës së Tretë Operative për rrafshin e Dukagjinit.

2. Mobilizimin e oficerëve aktiv e rezervë, të Deçanit me rrethinë dhe zonës në përgjithësi e ku do të njoftoheshin, konsultoheshin, të merrnin detyrat për veprim e takimet do të mbaheshin të rregullta. Komandant ishte zgjedhur Adem Ukëhaxhaj.

3. Me urdhër të Ministrit të parë të luftës së Republikë së Kosovë, kolonel Ahmet Krasniqit, në fillim të 1998-tës, Ukëhagjaj, dërgohet në Tiranë nga bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e komandant Sali Çekajt për disa ditë konsultimesh.

E mori përsipër që të luftoj e ti realizoj edhe këto detyra:

4. Me arritjen dhe dislokimin e Zonës së Tretë Operative për Rrafshin e Dukagjinit, do të komandonte Kolonel Tahir Zemaj, i emëruar qysh më parë nga Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi.

Tahiraj madje thotë se Adem Ukëhaxhaj për një kohë të shkurtër arriti të jetë shumë popullor dhe i dashur nga qytetarët, ndërsa themeloi shtabe të shumta të mbrojtjes.

“Vazhduan nga të katër anët luftëtarë e veprimtarë të zgjedhur politik, për ta parë e për tu takuar me Ademin. I themeloi dhe i konsultoi përfaqësues dhe shtabe të shumta të mbrojtjes nëpër fshatra e zona gjithandej. Nuk la fshat as vend pa e vizituar, pa i sistemuar, komandoi dhe priu i pari në luftë deri në ditën e rënies në fillim të qershorit ‘98 (dhe krijoi korridor të veçantë për furnizime)”, thotë Tahiraj.

Ai thotë se Beteja e Carrabregut, që askush se përmend, në njërën anë Carrabreg-Prilep, në njërën anë e ka udhëhequr Ademi dhe në anën tjetër Sadri Loka, oficer i mbrojtjes, që më vonë ka marrë pjesë në Koshare.

Image
Pllaka përkujtimore e për Adem Ukëhaxhajn

Nderimi me gradën kapiten i klasit të parë nga Ahmet Krasniqi

Ademi, sipas të dhënave të familjes Ukëhaxhaj, shkollën e mesme ushtarake e ka kryer në Sarajevë, ndërsa në vitin 1982 ishte emëruar rreshter në Manastir të Maqedonisë ku ka punuar të cilën e dy vjet. Pastaj e mbaron Akademinë Ushtarake në Beograd në degën e Këmbësorisë. Në vitin 1987 merr gradën e nëntogerit dhe punon në Brçko. Më vonë avancohet në atë të togerit, ndërsa pas dy vitesh e merr gradën e kapitenit.

Sipas një rrëfimi të bërë në media nga bashkëshortja e Ademit, Xhylie Ukëhaxhaj, “në vitin 1985 Ademi paraburgoset në Sarajevë ndërsa gjykimi u bë në Lubjanë. Edhe pse e dinte gjuhën zyrtare të Shtetit ai u mbrojte në gjuhen amtare. Falë zgjuarsisë Ademi u lirua nga aktakuza si i pafajshëm dhe vazhdoi punën deri në vitin 1991 kur e lëshoi punën dhe u kthye në Kosovë”.

Ajo pas një peripecie të gjatë udhëtimesh në luftë, së bashku me familjen kur kishte shkuar në Tiranë, kishte arritur t’i takonte përveç kolegët e Ademit edhe vet ministrin Krasniqi, i cili, sipas saj, ishte duke e jetuar ditën e fundit të jetës, para atentatit.

“...Shkova në shtab, te shokët e Ademit, ku qëndrova tre muaj. E falënderoj posaçërisht Ahmet Krasniqin sepse ai më takoi. Me të biseduam gjerë e gjatë, në atë takim më dha mirënjohjen për dëshmorin, me gradën kapiten i klasës të parë. Atë natë në mbrëmje u vra, Ahmet Krasniqi”, ka rrëfyer për media ajo vite më parë.

Në korrik të vitit të kaluar, familjen Ukëhaxhaj në Carrabreg të ulët të Deçanit, e kishte vizituar edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke u motivuar edhe nga njohja familjare, pasi sipas tij, xhaxhai Besim Mehaj, e kishte pasur shok të studimeve. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat