​Rama dhe Selimi inspektojnë punimet për efiçiencë të energjisë në “Ulpianë”

Aktuale

​Rama dhe Selimi inspektojnë punimet për efiçiencë të energjisë në “Ulpianë”

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 12:24
Foto ilustrim

Përfaqësues të lartë të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komunës së Prishtinës, vizituan sot kullat e famshme “Soliterat” të “Ulpianës”, të cilat janë duke u rinovuar me masa të efiçiencës së energjisë përmes programit të financuar nga MCC SEEK - “Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë”.

Gjatë kësaj vizite në terren, ekipi i MFK i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, Caitlin Reichart, zëvendësdrejtoreshë e Programit të Pragut për Kosovë dhe Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, u takuan me ekspertë të renovimit dhe diskutuan për mbarëvajtjen e punimeve.

Me këtë rast, Petrit Selimi, drejtori ekzekutiv i MFK-së, shprehu entuziazmin për mundësinë që të mbështesë Prishtinën dhe “Ulpianën” për të zgjidhur problemin e kahmotshëm të ndërtesave shumë të vjetra dhe të rrënuara.

Selimi duke treguar se deri në fund të muajt nëntor të gjitha punimet në këto objekte të “Ulpianës” do të përfundojnë, tha se ky është një nga projektet e tyre të preferuara, ku qindra banorë do të përfitojnë nga rinovimi i plotë i efiçencës energjetike.

Selimi: Pesë kulla në “Ulpianë” po rinovohen plotësisht për rritje të efiçiencës energjetike

“Fondacioni i Mileniumit të Kosovës me ndihmën e mjeteve nga Agjencioni Federal Amerikan MCC, është duke investuar në këtë komunitet, në lagjen ikonike të Prishtinës, ‘Ulpiana’, ku pesë kulla, pesë solitera po rinovohen krejtësisht me eksterier, me materialet më efiçiente të mundshme, me dritare të reja trefish të xhamit ashtu që të rritet efiçienca, të zvogëlohet përdorimi i rrymës, por edhe të rritet vlera e tërë lagjes si një shembull se si me bashkëpunimin e donatorëve, komunës, ndërmarrjes publike banesore mund të krijohet një komunitet i cili kursen rrymë, shpenzon më pak për xhepin e banorëve, por edhe në këtë fazë të krizës energjetike i kontribuon edhe Kosovës në zvogëlimin e shpenzimeve të përgjithshme të energjisë”, theksoi Selimi.

Ndërsa, kryetari Përparim Rama theksoi rëndësinë e këtij investimi duke u shprehur se kullat ikonike të Ulpianës kanë pasur shumë nevojë për ndërhyrje dhe kështu, sipas tij, fasadat e rinovuara do t'i japin kullave një pamje të freskët dhe do të jenë më të sigurta për banorët.

Kryetari Rama deklaroi se janë duke punuar për të transformuar kryeqytetin.

Rama: Jemi duke punuar për të transformuar kryeqytetin

“Jemi duke punuar së bashku për të transformuar kryeqytetin, duke filluar prej këtyre ndërtesave ikonike, të cilat për një periudhë shumë të gjatë kanë qenë një brend negativ i kryeqytetit. Jo vetëm se janë dukur keq, por kanë qenë edhe të dëmshme. Kemi pasur probleme, disa pjesë të fasadave kanë qenë të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve të kryeqytetit. Ne kemi projekte të tjera të cilat ndërlidhën me këto ikona të kryeqytetit dhe jemi në bisedim tash edhe me qytetarët e lagjes ‘Ulpiana’ për zhvillimin e mëtutjeshëm”, theksoi ai.

Zëvendësdrejtoresha e Programit të Pragut të MCC-së për Kosovë, Caitlin Reichart u shpreh se renovimet janë projektuar për të rritur efikasitetin energjetik të ndërtesave, duke ndihmuar banorët të reduktojnë nevojat e tyre për konsumin e energjisë dhe duke rritur ndërgjegjësimin për përfitimet e shumta të masave të efiçencës së energjisë.

Reichart tha po ashtu se MCC ka besim se nga renovimet në “Ulpianë” do të përfitojnë drejtpërdrejt banorët, por edhe do të jenë model për investime të ngjashme në të ardhmen.

Reichart: Investimet, do t'ju ndihmojnë banorëve që të ulin shpenzimet e tyre të energjisë

“Është kënaqësi që po e vizitojmë vend-zbatimin e projektit tonë. MCC është e lumtur që bashkëpunon me Komunën e Prishtinës në renovimin e këtyre pesë rrokaqiejve ikonikë të ‘Ulpianës’. Investimet do ta përmirësojnë efiçiencën energjetike të ndërtesave, do t'ju ndihmojë banorëve që të ulin shpenzimet e tyre të energjisë, dhe të ulin faturat e tyre të rrymës. Ky investim është pjesë e një projekti më të madh që MCC është duke bërë në Kosovë, ku po rinovohen njëzet e gjashtë ndërtesa në gjashtë komuna. Përderisa e dimë se banorët do të përfitojnë nga investimet, kurse shpresojmë që kjo të shërbejë edhe si shembull për komunat e tjera, dhe pjesët e tjera të Kosovës për të ndërmarrë projekte të ngjashme në të ardhmen”, theksoi Reichart.

Rinovimi me masa të efiçiencës së energjisë të pesë kullave ikonike në “Ulpianë” filloi në maj 2022, si pjesë e projektit AER të mbështetur nga MFK dhe MCC, Komuna e Prishtinës dhe Ndërmarrja Publike Banesore e Prishtinës (NPB). Më shumë se 250 familje do të përfitojnë nga ky investimi 3milionësh në Prishtinë, kështu duke synuar inkurajimin e kursimeve dhe përmirësimin e rezultateve mjedisore.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës është entiteti përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së Pragut prej 49 milionë dollarësh, të nënshkruar nga Republika e Kosovës dhe MCC në vitin 2017.

Programi i Pragut të Kosovës adreson dy kufizime kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizimin jo të besueshëm me energji elektrike; dhe dobësi reale dhe të perceptuar në sundimin e ligjit, llogaridhënien e qeverisë dhe transparencën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat