Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu me Kosovën, është një proces i dështuar.
Sipas tij, fajtor për këtë është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kërkoj nga fuqitë që e mbrojnë të na ndihmojnë, ta frenojnë e ta mbushin mend Albin Kurtin. Në Bruksel nuk ka dialog derisa të jetë Kurti, njeriu ka vendosur të mos dialogojë”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për mediat serbe.
Atij i ka reaguar Avni Zogiani, zyrtar në Lëvizjen Vetëvendosje, përcjell Bota sot. Sipas tij, Vuçiq është mësuar të gërryejë çdo ditë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
“Lexo... sun marrim gjë prej Kosove!
Se ky është mësu me shku në Bruksel, me e quajt "dialog", e me gërrye përditë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Nejse, po ka mjaft aleatë në Kosovë, por me shpresë se po lodhen një herë! Asnjë borxh s'ia kemi Serbisë, përkundrazi!”, ka shkruar Zogiani, në një postim në Facebook.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës, është shprehur i gatshëm për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se takimi i radhës me Serbinë, mund të mbahet në fund të muajt gusht./BS