Gjykata vendos për Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët e tij, ja akuzat që rëndojnë mbi ta

Aktuale

Gjykata vendos për Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët e tij, ja akuzat që rëndojnë mbi ta

Më: 3 gusht 2022 Në ora: 10:47
Nuredin Lushtaku

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vendosur për vazhdimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku dhe dy familjarëve të tij F.L., dhe A.L.

Këtë informacion e ka konfirmuar zyrtari për media i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nusret Hoxha.

“Paraburgimi u është vazhduar edhe për dy muaj, seanca është mbajtur dje”, tha Hoxha.

Prokurorja e rastit kishte kërkuar nga gjykata vazhdimin e paraburgimit ndaj Lushtakëve, të cilët po mbahen në paraburgim nga data 4 korrik 2022.

Ish-deputetit Lushtaku dhe dy familjarëve të tij iu caktua paraburgimi nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se “të dyshuarit  F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”.

Plagosja e njërit polic dhe lëndimi i tjetrit dyshohet se motiv kishte shqiptimin e një tikete të trafikut ndaj një familjari të Lushtakut.

Për çka policët u desht të mjekoheshin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.

Ish-deputeti Lushtaku në seancën dëgjimore kishte deklaruar se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat