Zëdhënësi i PDK-së: SHBA-të e mbrojtën Kurtin nga vetja, e Kosovën nga Kurti!

Aktuale

Zëdhënësi i PDK-së: SHBA-të e mbrojtën Kurtin nga vetja, e Kosovën nga Kurti!

Më: 3 gusht 2022 Në ora: 13:27
Faton Abdullahu

Faton Abdullahu zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar për aksionin në veri të vendit dhe koordinimin që Qeveria e Kosovës ka pasur me vendet mike.

Sipas tij, qeveria Kurti do t`i kishte ditët e numëruara në rast se një veprim i tillë nuk do të ishte koordinuar paraprakisht me partnerët e vendit.

Ai ka thënë se SHBA me qendrimet e saja për aksionin në veri, e ruajtën Kurtin nga vetja.

Abdullahu tha se se çdo gjë që ka bërë Kurti në karrierën e tij politike nuk e ka bërë në koordinim me SHBA-në.

“Nuk po e zgjas më shumë. Fundja po presim edhe 30 ditë që të kuptohet drejtë se sa e si po na u koordinuaka Kurti me SHBA-në dhe sa po e zbaton reciprocitetin”, ka thënë ndër të tjera ai.

Reagimi i plotë:

Sikur të heshtte apo ta mohonte Ambasada amerikane në Prishtinë se ka pasur informata dhe koordinim rreth asaj që ndodhi në veri me Qeverinë, kjo Qeveri do t’i kishte ditët e numëruara.
Opozita do të duhej të bëhej gati ta marr pushtetin. Për më shumë, ky do të ishte inkurajimi më i madh i Serbisë në këto dy dekadat e fundit. Por SHBA-ja është në rrugë të Zotit dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë me dikë që ka fituar mbi 50 % të votave.
Por, e vërteta është se SHBA-ja (pesë n’dymbëdhjetë), edhe një herë e mbrojtën Kurtin nga vetja e tij dhe Kosovën nga Albin Kurti.
Këtë më së miri e di vetë Kryeministri Kurti, ndërsa më së keqi e interpretojë militantët proqeveritarë të cilët trumbetojnë se çdo gjë është koordinuar me SHBA-në gjë që nuk mund të faktohet.
Dallimin që ja vlen të kuptohet drejtë është se SHBA-ja përkrah Kosovën në parim si shtet, madje pa hile, pra edhe reciprocitetin, por SHBA-ja nuk përkrah metodat, kohën as taktikat e Qeverisë Kurti për atë që u bë në veri.
Prandaj, SHBA-ja doli dhe ndryshoi gjendjen në terren si e vlerësuan vetë ata se është më së miri për shtetin e Kosovës e jo në koordinim me Qeverinë Kurti.
E keqja më e madhe është se këtë qasje miqësore dhe shumë konstruktive të ShBA-së, Kurti me paranojën e tij mund ta kuptoj si përgatitje të ‘kurthit politik’ nga amerikanët që ai të hyjë në vallen të cilën e tërheqin amerikanët për tu futur në dialog me Serbinë ku ai më pas duhet të bëjë lëshime.
Kjo ka qenë akuza bazë e opozitarizmit të VV-së tash e shumë vite për të gjitha ata që kanë dialoguar me Serbinë e kjo tërthorazi ka qenë akuzë edhe kundër ShBA-së.
Sa për t’jua kujtuar: Çdo gjë që ka bërë Kurti në karrierën e tij politike nuk e ka bërë në koordinim me SHBA-në. Nuk po e zgjas më shumë. Fundja po presim edhe 30 ditë që të kuptohet drejtë se sa e si po na u koordinuaka Kurti me SHBA-në dhe sa po e zbaton reciprocitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat