Grushti amerikan për Borellin, Lajçakun dhe opozitarët / Çfarë do të bëjnë tani mbështetësit e Serbisë

Aktuale

Grushti amerikan për Borellin, Lajçakun dhe opozitarët / Çfarë do të bëjnë tani mbështetësit e Serbisë

Nga: Idriz Morina Më: 7 gusht 2022 Në ora: 17:21
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josip Borell dhe ndërmjetësuesi i bisedimeve, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak

Pas shumë vitesh bisedimesh SHBA-të, po e thonë saktësisht se Kosova nuk mund ta lejojë një shtet brenda shtetit, një asociacion që krijon autonomi e republikë brenda republikës, po ashtu as një organizimin që dëmton funksionalitetin shtetëror.

Çfarë po ofron Borelli, për dallim nga Amerika?

Një pushtetar dhe një personalitet që nuk ofron asgjë, përveç se përpiqet të delegojë apo t’i përcjellë porositë e të tjerëve, nuk duhet marrë seriozisht.

Pse ta marrim ne seriozisht derisa Serbia as nuk e merr seriozisht dhe as nuk e llogarit për politikan vendimmarrës serioz.

Institucioneve të Kosovës pas një trysnie të gjatë, kryesisht nga disa vende europiane, që ta zbatojë asociacionin për komunat me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar marrëveshja (2015), në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i është dhënë mbështetje e plotë, racionale publike nga SHBA-të.

Kjo më në fund e ka shkatërruar kërkesën e Bashkimit Europian, të bërë nga shefi i diplomacisë së saj, Josip Borell dhe ndërmjetësuesi i bisedimeve, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

"Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe është arritur nga palët. Presim që marrëveshjet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht nga të dyja palët...”, thoshte në dhjetorin e shkuar, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në paraqitje në Bruksel para gazetarëve së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa, këtë e qartësonte duke theksuar se Asociacioni duhej të zbatohej patjetër, ashtu siç ishte nënshkruar.

“Nuk pajtohem me ju që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare dhe në kuadër të bisedimeve”, thoshte Borell derisa replikonte me kundërshtimin e Albin Kurtit.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e bëri të qartë të premten duke theksuar, se asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, se duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese (“nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën”), nuk mund të jetë një republikë brenda një tjetre etj.

"Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti", deklaroi Eskobar.

Kjo ishte edhe një goditje për Listën serbe, dhe serbët përgjithësisht që thurnin ëndrra se mund të kenë një autonomi, që më pas të rrëshqasë drejt ndarjes apo në krijimin në veri të një “republike serbe”. Po ashtu me këtë deklaratë besojmë se u shua trysnia e brendshme ndaj institucioneve, që ato të arrinin një marrëveshje që çon kah dëmtimi i funksionalitetit shtetëror. Pjesa më e madhe e opozitës ishte e fokusuar në trsyni ndaj institucioneve dhe jo, që kjo të bëhej në interes të ruajtjes së interesave të vendit.

Sipas të dërguarit amerikan, z.Escobar asociacioni duhet të konvergjojë në të drejtën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, gjuhësore...

Një historik i asociacionit

Në vitin 2013 kryeministri i asaj kohe Hashim Thaçi, e bën një marrëveshje me Serbinë në Bruksel, duke i ofruar shumë të drejta serbëve, dhe njëkohësisht duke ia hapur rrugën dëmtimit të shtetit, funksionalitetit dhe krijimit të premisave për avancim të mëtejshëm të të drejtave të serbëve. Për më tepër kjo do të votohej edhe nga Kuvendi i Kosovës, si pjesë e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Marrëveshja u kritikua gjerësisht, dhe në mënyrë sistematike nga ne. Por, në vitin 2015, kur qeverinë e drejtonte Isa Mustafa, tashmë edhe nën kritikat e vazhdueshme të opozitës, ai nënshkroi marrëveshjen duke respektuar bazën e saj, por antikushtetuese të bërë nga Hashim Thaçi.

Veçse kësaj here, me shumë gjasë mbase në koordinim, pasi kurrë nuk u sqarua deri në fund, se nëse dy ‘shefat’ ishin dakorduar, që ta fusnin një kleçkë në marrëveshje, por jo me idenë apo pritjen që gjykata Kushtetuese ta hidhte poshtë, por që ta përdornin Gjykatën Kushtetuese për ta mbuluar tradhtinë, pra si mburojë për vetveten.

Si shumë herë të tjera, kur grupi i Hashim Thaçit ishte i zënë keq, ia dilte që ta bënte Gjykatën Kushtetuese të vendoste në favor të tij.

Rast tipik janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendimi (2014) nën kryesimin e Enver Hasanit, që çoi në rrëzimin e VLAN-it dhe krijimin e qeverisë Mustafa, dhe ai i vitit 2020, nën udhëheqjen e Arta Ramës, kur Kushtetuesja i dha sërish të drejtë Thaçit, por tashmë duke e rrëzuar vendimin e Hasanit. Rama e riktheu qasjen se Qeverinë mund ta formojë një grupim i ri, që pretendon se e ka shumicën parlamentare, duke e përmbysur konceptimin e vendimit të përparshëm, që i jepte përparësi ‘fituesit relativ’.

Pra, dy vendime tërësisht të ndryshme, për një çështje të njëjtë, gjatë kohës së fuqisë politike të Thaçit.

Me shumë gjasa, kushti që çështjen ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese edhe sipas kritikave të bërë në kohë, pra del se në shqyrtimin perspektiv, elementi i Gjykatës Kushtetuese u vu si mburojë.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk është pushtet i tretë, nuk është ekzekutiv, nuk krijon asimetri...”, thoshte Isa Mustafa për media në tetorin e vitit 2015, para se të vendoste Gjykata Kushtetuese. Pra, ai dhe sigurisht Hashim Thaçi si shtytësi kryesor edhe i kësaj marrëveshje, ishin të bindur, se marrëveshja ishte në rregull, dhe nuk kishte shkelje kushtetuese.

Argument tjetër është se në një rast, para mediave, pasi tashmë ishte marrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për 23 pika antikushtetuese, kryeministri kohës Isa Mustafa, pat deklaruar se Marrëveshja do të zbatohej ashtu siç ishte nënshkruar, pra jo me vërejtjet e kushtetueses. Dhe pas kritikave, këtë gjë nuk e ka përsëritur më.

Pra, ata që e mbrojnë sot atë vendim, e bëjnë gabimisht duke i bërë analizë retrospektive zhvillimit të ngjarjeve, duke i humbur nuancat e zhvillimit në kohë dhe të vetë procesit!

Në këtë frymë deri muaj më parë ishin të tilla edhe kërkesat e BE-së, të Shefit të Diplomacisë së saj, Josip Borellit dhe të ndërmjetësit të saj, Lajçakut, të cilët hapur kërkonin zbatimin e marrëveshjeve ashtu siç ishin nënshkruar, madje shkonin aq larg sa në kundërshtim flagrant, kërkonin të mos zbatohej vendimi i Kushtetueses për Asociacionin dhe njëkohësisht të zbatohej vendimi i saj, për Manastirin e Deçanit.

Atë kohë, që para se të nënshkruhej marrëveshja për shumë nga pikat dihej, dhe si nga ekspertët, analistët, dhe nga politikanë opozitar, ishin kritik, për atë që mund të nënshkruhej dhe u nënshkrua.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi nën trysninë e drejtpërdrejt të kundërshtuesve të marrëveshjes, dhe jo si një hap cilësor i pushtetit. Në mënyrën se si po pretendohet të mbrohet tani ai vendim i Gjykatës dhe ajo marrëveshje, nuk është mbrojtur asnjëherë, atëherë kur ka ndodhur dhe në vazhdim!

Shpresat

Çfarëdo modeli strukturor që lejohet të jetë me mundësi të krijimit të ansamblit, me kohë, nën trysninë e përhershme të Serbisë, kërkesat do të rriten, dhe bashkë me to edhe zgjerimi i kompetencave, të cilat padiskutueshëm do të çojnë drejt një ndarje, nëse jo totale, gjithsesi fundamentale në funksionim, të atillë, thuajse sikur nuk janë pjesë e Kosovës.

Unë mendoj se ende ka kohë, që gjërat të rrjedhin në rrugën tonë të duhur, duke mos hyrë në modele që mund të krijojnë pasoja dhe të rrëshqasin në modele të rrezikshme apo në krijimin e një subjektiviteti të pavarur serb, brenda vetë shtetit të Kosovës.

Përmbysja e agjendës ruse, duhet të çojë në shkatërrimin e modelit serb, strukturave binare, duke e rikthyer procesin drejt ngadhënjimit të modelit europian, në një model trinar të vërtetë perëndimor.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat