​Tahiri demanton Kurtin: Miratimi i rregullores së Kuvendit, meritë e grupit punues

Aktuale

​Tahiri demanton Kurtin: Miratimi i rregullores së Kuvendit, meritë e grupit punues

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 20:44
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur për rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës ku sipas tij kryeministri Albin Kurti po bën përpjekje për të përvetësuar meritat.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se miratimi i rregullores së punës së Kuvendit është meritë e punës njëvjeçare e grupit punues.

“Miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit është meritë e drejtpërdrejtë e grupit punues që ka punuar më shumë se një vit, e i cili përbëhej me shumicë nga partitë opozitare, ekspertë të NDI-së dhe organizatave tjera të shoqërisë civile”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se është pikërisht Kurti i cili e ka penguar dhe bllokuar miratimin e kësaj rregullore.

“Statusi i kryeministrit Kurti tregon dy elemente shumë të rrezikshme: e para, tendenca për të marrë merita që nuk i takojnë, për shkak se, nëse e ka një njëri që e ka bllokuar miratimin e kësaj rregullore, ka qenë vetë Kurti gjatë dhjetë vjetëve, i cili nuk ka dashur të mbështesë shumicën për të kaluar këtë rregullore. E dyta, ai e merr rolin e kryetarit të Kuvendit, i cili duke dashur ta ruajë konsensusin që e kemi pasur në grup punues, nuk ka publikuar dhe nuk ka marrë merita”, është shprehur ai.

Tahiri ka komentuar edhe deklarimet e Kurtit për luftë në një intervistë për mediat italiane.

“Nuk e di çka po mendon kryeministri, njëherë duke shpallë gjendje lufte, e tash duke u munduar të merr merita që nuk i takojnë dhe nuk janë të tija”, ka përfunduar Tahiri.

Ndryshe, rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës ka hyrë në fuqi sot, pasi është publikuar në Gazetën Zyrtare. Kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me miratimin e Rregullores së re të Punës Kuvendi i Kosovës ka kaluar testin e demokracisë.

Rregullorja e re e Kuvendit u miratua me 81 vota dhe procesi i rishikimit për të ardhur deri te kjo rregullore daton që nga viti 2012.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat