​Osmani: Njohja reciproke fokusi i procesit të dialogut, zgjidhjet gjysmake nuk prodhojnë stabilitet

Aktuale

​Osmani: Njohja reciproke fokusi i procesit të dialogut, zgjidhjet gjysmake nuk prodhojnë stabilitet

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 15:07
Vjosa Osmani

Institucionet e Kosovës e kanë vetëm një agjendë, përqendrimin e procesit të dialogut në njohje reciproke, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani derisa ka folur për takimin e 18 gushtit në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Osmani ka thënë se Kosova është pala e cila ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit ndërsa Serbia vazhdon të financojë strukturat kriminale në veri të Kosovës.

Osmani: Kosova punon që njohja reciproke të jetë fokusi i gjithë procesit të dialogut

Presidenti Biden e ka bërë të qartë që përqendrimi i dialogut duhet të jetë në njohjen reciproke, prandaj edhe ne punojmë në këtë drejtim, që njohja reciproke të jetë fokusi i gjithë procesit përndryshe zgjidhjet gjysmake nuk prodhojnë as paqe as stabilitet. Ne punojmë me zotëri Escobar, me gjithë zyrtarët amerikan në mënyrë që të ndërtojmë atë edhe perceptimin të bazuar në një realitet që tashmë eksiton, që Kosova është pala që ka implementuar e ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit. Një marrëveshje që nuk është zbatuar është për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kurse të gjitha të tjerat i ka zbatuar”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë se Kosova po i zbaton marrëveshjet e Brukselit dhe po koordinohet në plotni me partnerët strategjik për çdo hapa para.

Osmani: Serbia vazhdon t’i armatos strukturat ilegale

Çka presim nga Serbia është që natyrisht do ta shfrytëzojnë pjesëmarrjen në këtë dialog që të bëjnë obstruksione, siç kanë bërë gjithnjë, nënshkruajnë marrëveshje, nuk i zbatojnë, ta zëmë për vitin 2013 flitet gjithandej për Asociacionin por bazamenti i asaj marrëveshje ka qenë garantimi nga ana e Serbisë që do të shpërbëjë strukturat ilegale, gati 10 vite pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje lëre që Serbia nuk e ka zbatuar atë obligim por vazhdon t’i armatos ato struktura ilegale në mënyrë që të rrezikojë sigurinë dhe integritetin territorial të Republikës sonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë para mediave se Serbia vazhdon të destabilizojë dhe t’i shikojë shtetet e tjera të rajonit si të përkohshme.

Ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos ketë trajtim të njëanshëm e të favorizojë një shtet që ka tendenca destabilizuese.

Osmani: Bashkimi Evropian të mos ketë trajtim të njëanshëm

Serbia është ajo që rrezikon, Serbia është ajo që destabilizon, Serbia është ajo që me retorikën serbomadhe vazhdon t’i shkojë shtetet e tjera të rajonit si shtete të përkohshme, pra përderisa Kosova vazhdimisht përgjatë historisë së saj vetëm ka kontribuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Prandaj edhe nga Bashkimi Evropian kërkojmë që trajtimi që ata e quajnë neutral të mos jetë trajtim i njëanshëm që favorizon një shtet që po ka tendenca territoriale dhe destabilizuese në raport jo vetëm me Kosovën por edhe me shtetet e tjera të rajonit... Kjo tendenca për të trajtuar të dyja palët kinse të dyja në mënyrë ekuivalente, por kontribuojnë në destabilizim, është gabim i madh, është pjesë e iniciativave për ta ndryshuar historinë ku shumë njerëz tentojnë që agresorin dhe viktimën, qoftë sa i përket viteve të ’90-a qoftë edhe sot kur rrezikohej nga pretendimet territoriale të Serbisë, të vendosemi në një pozicion të njëjtë, por për të gjithë ata që shohin faktet janë përpara, realiteti është përpara”, ka thënë ajo.

Më 18 gusht kryeministri Kosovës Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë në kuadër të raundit të ri të dialogut të Brukselit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat